Avokatja mbrojtëse në rastin “ Lagjja e trimave”, Arten Iseni , në fjalën përfundimtare përmendi parregullsi të shumta të bëra nga ana e Prokurorisë Publike sa i përket mbledhjes së provave. Ajo në seancën e sotme ( e enjte) në Gjykatën Supreme theksoi se ky proces ka pasur gabime të cilat nuk mund të anashkalohen, duke filluar nga Prokuroria Themelore, nga trupi gjykues etj.
Sa i përket punës se Prokurorisë Themelore Publike, avokatja Iseni, tha se e njëjta nuk ka vepruar sipas rregullave ligjore, konkretisht siç përmendi avokatja provat që Prokuroria ka mbledhur, nuk u janë treguar të akuzuarve madje as avokatëve të tyre, bisedat e regjistruara nuk janë paraqitur të gjitha, disa nga bisedat nuk janë të plota, madje tha se Prokuroria ka përzgjedhur vetëm disa nga bisedat që i leverdisin.
Mbrojtja vazhdoi me fjalën e saj edhe pse nga prokurorja pati ndërhyrje, gjë të cilën e ndërpreu pa u menduar dy herë gjykatësja e rastit, Verka Petrovska.
Sic vazhdoi më tej në fjalën e saj avokatja Arten Iseni, ka numër telefoni I cili është në emër të njërit prej të akuzuarve, por se prej tij kanë folur të tjerë persona dhe Prokuroria as nuk ka bërë ekspertizë për identifikimin se të kujt janë zërat që bisedojnë në atë numër telefoni. Bazuar në këto argument, mbrojtja kërkoi lirimin nga akuzat të të gjithë të akuzuarve.
Artene Iseni, avokate mbrojtëse në rastin “Lagjia e Trimave”
Ky rast do të përmendet në historinë e drejtësisë në Maqedoni për mënyrën se si nuk duhet zhvilluar një proces, tha ndër të tjera avokatja mbrojtëse, duke shtuar se një mënyrë e tillë ka bërë të mos zbulohen koka e vërteta të organizimit të operacionit, sa zyrtarë shtetëror janë përfshirë dhe sa prej tyre janë përgjegjës për sigurinë e shtetit.
Ndërkohë që edhe sot të akuzuarit ngriheshin njëri pas tjetrit në këmbë të revoltuar. Së pari Valdet Zekaj braktisi seancën e sotme gjyqësore, e më pas edhe disa të akuzuar të tjerë lëshuan sallën në shenjë bojkoti, duke theksuar se nuk duan të jenë prezent në një sallë ku nuk ka drejtësi.
“Bojkotoj. Dua të dal prej këtu pasi kam kërkuar po nuk keni pranuar as dëshmi e as dëshmitarë. Dua ta laj fytyrën para kombit tim. Le ta dinë se a kam ardhur për para ose për komb. Ne duam ta dimë se kush na ka tradhëtuar”, tha Valdet Zekaj duke u larguar nga salla e gjykatës.
Prokuroria Themelore Publike në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të gjithë të akuzuarit.
Nga konflikti i armatosur që ndodhi në ‘Lagjen e Trimave’ më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vranë 10 anëtarë të grupit të armatosur, 8 pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 37 të tjerë u lënduan. Për rastin në fjalë fillimisht ishin arrestuar tridhjetë persona dhe 7 tjerë në aksionin policor të tetorit të vitit 2015. U dëmtuan 127 familje apo gjithsej 549 banorë; 26 shtëpi u dëmtuan pjesërisht, ndërsa 17 tërësisht./ Almakos.com/
Përgatit: Evi Shkopi
Kameraman: Edvin Sejrani
Montazh: Edvin Sejrani