Gjykata, prokuroria dhe mbrojtja, u pajtuan se ngjarja tragjike e therjes me thikë të Angel Petkovskit më 19 maj të vitit 2014-të, për të cilën është i akuzuar Naser Eshtrefi, nuk ka prapavijë etnike. “Dhimbja për të gjitha nënat është njësoj”, tha gjykatësja e lëndës. Në seancën e sotme gjyqësore, palët i thanë fjalët përfundimtare, Prokuroria mbetet në atë që e ka thënë gjatë gjykimit të parë se vrasja e Angelit është bërë me paramendim, ndërkaq mbrojtja pohon se Naseri nuk ka pasur qëllim që ta vret, madje edhe jeta e tij ka qenë në rrezik pasi që është rrahur nga i ndjeri dhe babai i tij, që ka qenë iniciatori i ngjarjes. Aktgjykimi është caktuar për të premten në ora 12:00, raporton Portalb.mk.
Gjendja faktike mbetet e njëjtë, me rikonstruim ndryshoi asgjë. Nuk ka prova të reja.
I akuzuari kur e ka kryer veprën ka qenë në gjendje të shëndoshë psikike, këtë e dëshmuan edhe ekspertët. Vrasja nuk është kryer në afekt patologjik. Është e vërtetë se ka ndjerë frikë, por ajo është normale, pasi që ai në mes të ditës ka hyrë në një shtëpi të huaj e ka vjedhur biçikletën në sy të pronarëve.
I akuzuari disa herë i ndryshoi deklarimet e tija, deri më tani kemi 4 versione të tij se si ka ndodhur rasti. Deklaratën e tij, vetë e solli në absurditet, cilido version qoftë nuk ka logjikë dhe këtë e bëri me vetëdije dhe qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë.
I akuzuari me vetëdije e ka mbytur moshatarin e vet. Në këtë rast, nuk ka vrasje në mbrojtje apo në çast. Këtë nuk mund ta vlerësojmë në bazë të deklaratave të tij, por të veprimeve.
Dëshmia e Sasho Petkovskit është në përputhje me gjendjen faktike.
Në lidhje me thikën, nuk mundet që ajo të kishte rënë nga qielli. I akuzuari e ka pasur thikën me vete.
Ngjarja ka ndodhur vetëm 17 sekonda, në kaq kohë si është e mundur që Petkovski ta ketë goditur dhjetëra herë. Se nuk ka pasur përleshje tregon edhe maica e të akuzuarit, e cila është e bardhë dhe nuk ka asnjë gjurmë të gjelbër nga bari, pasi që i njëjti ka deklaruar se kur e kanë goditur është rrëzuar.
Dëshmitari Sasho Petkovski e ka goditur të akuzuarin në momentin kur ai e ka therë me thikë të ndjerin dhe për këtë ai ka të drejtë juridike. Në këtë rast, i ndjeri dhe babai i tij kanë pasur të drejtë për mbrojtje.
Dominojnë rrethanat rënduese, i akuzuari e ka vrarë Angelin pasi që është frikësuar se do të kapet për vjedhjen e biçikletës.
Fjalët përfundimtare të avokatit të të dëmtuarve, Goce Nestoroski
Në tërësi i mbështesim fjalët përfundimtare të Prokurorisë. Pas rikonstruimit u dëshmua se dëshmia e Sasho Petkovskit është i besueshëm në lidhje me kronologjinë dhe dinamikën e ngjarjes.
Nuk ekziston asnjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin dhe për këtë kërkojmë që Këshilli Gjykues t’i shqiptojë dënim maksimal, sipas dispozitave ligjore.
Naser Eshtrefi në gjykatë, foto Portalb.mk/Arbnora Memeti
Mbrojtja e të akuzuarit, Ivanka Jakimovska
Kur një person e vret një tjetër duhet që të caktohet se cili ka qenë iniciatori, koha, hapësira, mënyra e ikjes së përgjegjësisë, arsyeja dhe ngjashëm. E dimë që vrasja nuk arsyetohet me asnjë dënim, por nuk mundet as të shenjtërohet, por të ndëshkohet.
Në këtë rast nuk kemi paramendim. Iniciator i kësaj ngjarje është mu dëshmitari Sasho Petkovski (babai i të ndjerit Angel Petkovski), të cilën edhe vetë e konfirmoi, kur në seancë tha se kur e ka parë se nuk është biçikleta, ka vazhduar të vrapojë pas të akuzuarit.
Çfarë i ka paraprirë rastit?
Ngjarjes i ka paraprirë një ngjarje tjetër, gjegjësisht vjedhja e biçikletës nga ana e Eshtrefit nga oborri i familjes të të ndjerit, vlera e të cilës nuk u konstatua. Kjo nuk është kontestuese, por është kontestuese se kush është dëshmitar okolar në atë ngjarje. Sipas një versionit janë komshinjtë përballë, ndërkaq sipas një tjetri vetë tanimë i ndjeri dhe babai i tij të cilët kanë qenë në oborr dhe kanë vrapuar që t’ia marrin biçikletën. Në gjendje kur i akuzuari ka qenë i fokusuar te biçikleta, edhe po të kishte dashur nuk do të mundej t’i vërejë të tanimë të ndjerin dhe babin e tij. Pra kur janë takuar për së dyti herë, nuk i ka njohur Naseri ata, por ata Naserin. Pra pasi e kanë parë Naserin, ata fillimisht kanë vrapuar në këmbë, ndërkaq më pas e kanë marrë veturën, ku është gjetur edhe druri i përpunuar. I ndjeri dhe babai i tij, me çdo çmim kanë dashur ta arrijnë Eshtrefin.
Si është zhvilluar ngjarja?
Ngjarja është spontane, e rastësishme dhe e paplanifikuar. Naseri e ka lënë biçikletën e vjedhur dhe i frikësuar ka dëshiruar të largohet. Por, nuk ka arritur pasi që është kapur nga i ndjeri dhe babai i tij, të cilët e kanë njohur të akuzuarin. Iniciator ishte vetë Sasho.
Kush i pari ka goditur
Mbeti mëdyshje dhe enigmë se kush i pari sulmoi, madje edhe pas rikonstruimit. Se mbeti e paverifikuar e dëshmoi edhe Mjekësia Ligjore. Pra nuk dihet, nëse i pari e ka goditur i ndjeri Naserin, ose anasjelltas.
A ka dëshiruar i akuzuari të ndodh kjo ngjarje.
Kuptohet që jo. Ka mundur që të jetë edhe situatë e kundërt. Këtë e ka dëshmuar edhe vetë i akuzuari, por edhe ekspertët, të cilët thonë se vetë mosha e tij 19-vjeçare, ka kontribuuar që ai të gjendet në gjendje të shqetësuar kur eksitomi dhe adrenalina rriten, a plus nëse asaj i shtohet se ka qenë i ndjekur nga ana e të dëmtuarve, të gjithë e kanë të qartë se në çfarë situate është gjendur.
A bëhet fjalë për formimin paraprak të vullnet për ta kryer?
Në asnjë rast jo. Ekspertët e konstatuan se çdo person reagon ndryshe, dikush dëshiron të ikë a dikush qëndron dhe reagon me kundërshtim, thjeshtë me përleshje, ashtu siç ka qenë në rastin konkret. Gjithashtu eksperti Marcetiq pas rikonstruimit thekson se versioni i të dëmtuarit është më i besueshëm dhe se e gjithë kjo nuk është ngjarje e planifikuar, por vendim momental se si të reagohet në gjendje të tillë në të cilën është gjendur një neri i ri, të ikë ose të përballet. Unë do të thoja që Naseri ka qenë i detyruar që të mbetet pasi që është gjendur mes dy personave dhe nuk ka pasur mundësi të ikë, por thjeshtë e ka pasur patjetër që të përballet.
Pse askush s’u ndëshkua për lëndimet ndaj Naserit?
I akuzuari ka marrë lëndime trupore dhe nuk ka dashur ta padisë tanimë të dëmtuarin, pasi që po ndiqet në padi penale. Ai ka qenë i frikësuar për jetën e tij kur tanimë i dëmtuari i është afruar dhe i ka thënë dhe e ka pyetur nëse ai është vjedhësi, ka reaguar kur e ka parë rrezikun dhe vetëm mrekullia e ka shpëtuar që edhe ai të mbetet gjallë, pasi që goditjet nga ana Sasho Petkovskit pak të ishin më precize ose në vend tjetër do të ishin fatale për të akuzuarin. Është e habitshme se si një dru i tillë i përpunuar është gjetur në bari. Nëse do ta kishte gjetur aty, Sasho Petkovski edhe do ta kishte lënë aty, dhe jo ta merrte me vete në veturë. Sipas inercionit, ai e ka kthyer aty ku e ka marrë. Por këtë duhet ta konstatojë gjykata dhe të vendos.
Naser Eshtrefi e pranoi atë që e tha avokatja.
Pas mbarimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësja e shpalli aktgjykimin për më 26 mars në ora 12:00.