Universiteti i Tetovës, me një mbledhje komemorative, ka kujtuar punën dhe kontributin e profesoreshës universitare, Flora Sela – Kastrati, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë.
Të pranishmit vlerësuan punën dhe kontributin e saj në Fakultetin Filozofik.
“Prof. dr. Flora Kastrati, ndër vite ka dhënë kontribut të çmuar për edukimin e gjeneratave të tëra. Sikundër ka zhvilluar aktivitete të shumta si veprimtare e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare, vepra e saj do të na udhëheq drejt dijes dhe përparimit”,- theksoi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
“Ishte gjithnjë e para që sakrifikoi veten, vetëm e vetëm që ne të realizojmë qëllimet tona. Ishte e palodhur e me punën e saj edhe të pamundurën e bënte të mundur”,- tha dekani i Fakultetit i Filozofisë, prof. dr. Ibish kadriu.
“Gjendem në mesin e mësuesve më të mirë. Gjendem në Tetovën heroike, në Tetovën e arsimit, sepse për herë të parë gjimnazi i plotë u hap këtu në Tetovë. Shkolla e parë normale, ku jam gjenerata e parë, u hap gjatë vitit 50-51, këtu në Tetovë. Shkolla normale “Lira” – Tetovë, e cila si e tillë punoi 22 vite, në vitin 1972 u shndërrua në gjimnaz të plotë “Zef Lush Marku” në Shkup. Ta kisha në mesin tuaj edhe vajzën, por e mori Zoti”,- u shpreh babai i prof. Flora Sela – Kastratit, Idriz Sela.
Profesoresha, Flora Sela – Kastrati, punonte si mësimdhënëse e lëndëve filozofike dhe sociologjike në Universitetin Shtetëror të Tetovës.