13 June
Qeveria nuk ka emëruar drejtorët në Byronë e Sigurimit Publik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Mbledhja e Qeverisë ka përfunduar vetëm me emërimin e Magdalena Nestorovska sekretare shtetërore në ministrinë e Brendshme. Nestorovska si kuadër i LSDM-së më herët ka qenë këshilltare në ministrinë e Mbrojtjes, kryetare e këshillit Komunal në Karposh dhe së fundmi shefe e kabinetit të ministrit Oliver Spasovskit kur ky i fundit në krye të MPB-së erdhi pas marrëveshjes së Përzhinos.
Ndërkohë mbeten ende të pa emëruar edhe zëvendësministrat, kryesisht ato nga radhët e LSDM-së. Alsat mëson se të njëjtit do të propozohen drejtpërdrejtë në Kuvend ku edhe do të votohen. Në këtë kuadër, LSDM nuk ka ndarë as edhe sekretarët shtetëror në përgjithësi.
BDI dhe Aleanca për shqiptarët kumtuan emrat e zëvendësministrave në Qeverinë e re. Ndonëse partia e Ahmetit premtoi kuadro reformues, figurat e eshalonit të dytë janë kryesisht ato nga Qeveria teknike. Për zëvendësministër në MPB është caktuar ish ministri i brendshëm Agim Nuhiu. Në Mbrojtje do mbetet Bekim Maksuti, nga Pushteti lokal në Financa do të kalojë Shyrete Elezi ndërsa për zëvendësministër në Arsim është propozuar Visar Ganiu.
Zëvendësministrat e BDI-së
Zëvendësministër i Punëve te Brendshme – Agim Nuhiu
Zëvendësministër i Mbrojtjes – Bekim Maksuti
Zëvendësministër i Arsimit – Visar Ganiu
Zëvendësministre e Financave – Shyrete Elezi
Aleanca për shqiptarët ka siguruar tre zëvendësministra. Arta Toçi zëvendësministre e jashtme, Remzi Mehmeti në ministrinë për Transport dhe Lidhje si dhe Elmi Aziri për zëvendës në ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.
Zëvendësministrat e Aleancës për shqiptarët
Zëvendësministre e Punëve të Jashtme – Arta Toçi
Zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve – Remzi Mehmeti
Zëvendësministër për Punë dhe Politikë Sociale – Elmi Aziri
Partitë akoma nuk kanë përcaktuar emrat e sekretarëve shtetërorë edhe pse kanë ndarë pozitat. BDI do të ketë sekretarë shtetëror në ministrinë e Jashtme, të Bujqësisë, të Kulturës, të Shoqërisë informatike dhe administratës si dhe në Sekretariatin për Marrëveshjen e Ohrit. Ndërkaq Aleanca për shqiptarët do të ketë vetëm një sekretar shtetëror në ministrinë e Drejtësisë. Nga LSDM-ja edhe sot nuk u prononcuan nëse edhe për zëvendësministrat e ekzekutivit do të kërkojnë mendim nga Prokuroria Speciale për të vërtetuar se të njëjtit nuk janë të dyshuar për vepra penale apo ndaj të njëjtëve ka aktakuza për përfshirje në veprime kriminale.
Adrian Kerimi