14 March
Kreu i Kuvendit në largim Trajko Veljanovski do të mund të vazhdojë seancën konstituive për zgjedhjen e Kryetarit të ri, atëherë kur partitë politike të propozojnë kandidat për anëtarë të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Nga Kabineti i Veljanovskit sqarojnë se kjo mundësi buron si obligim nga Rregullorja e punës së Kuvendit dhe është pengesa e vetme e mos-vazhdimit të seancës konstituive. Sipas burimeve nga kabineti i Veljanovskit në pjesën e parë të seancës konstituive më 30 dhjetor, përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk kanë mundur të bien dakord se cilët do të jenë anëtarët e këtij komisioni dhe ai ka ndërprerë takimin koordinues me arsyetimin se nuk janë përmbushur kërkesat procedurale. Në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, VMRO-DPMNE duhet të ketë 6 anëtarë, LSDM-ja 5 anëtarë kurse BDI-ja dhe BESA nga një anëtar. Që i njëjti komision të jetë funksional dhe të mund të votohet kryetari i ri, do të mjaftonin edhe vetëm 7 deputetë nga 13 sa janë gjithsej. Nga LSDM-ja për Alsat M pranojnë se çështja e anëtarëve të këtij komisioni është akoma temë konsultimi në parti kurse nga Besa thonë se tashmë kanë propozuar deputetin Zekirija Ibraimi. Nga VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me kandidatët e mundshëm të tyre.
Partitë e shumicës parlamentare kanë pranuar se për herë të parë, Kreu i Kuvendit mund të jetë nga radhët e partive shqiptare. Nga ana tjetër, partitë akoma nuk kanë shpalosur planet e tyre për zhbllokimin e Kuvendit. Zaev dhe Gruevski akuzojnë njëri tjetrin për nxitje të përçarjeve në baza etnike mes qytetarëve. Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, kreu i LSDM-së Zoran Zaev deklaron se angazhohet për unitet dhe barazi.
Ne edhe në zgjedhje dolëm me programin tonë. Kjo ishte një nga pesë shtyllat për të krijuar “Një shoqëri për të gjithë”. Ky është koncepti për unitet në Maqedoni. Dhe tani në programin e Qeverisë në mënyrë të qartë angazhohemi për të – tha Zoran Zaev.
Edhepse përskaj akuzave ndaj Deklaratës së partive shqiptare dhe kërkesave të tyre duke e konsideruar atë si platformë Tiranase dhe të dëmshme për vendin, kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në një postim në rrjetet sociale deklaron se nuk është kundër asnjë bashkësie në vend.
VMRO-DPMNE-ja edhe më tej do të vazhdojë të ndërtojë dhe krijojë, të përmbushë premtime prej të cilave do të kenë dobi të gjithë qytetarët e Maqedonisë, maqedonasit, shqiptarët dhe gjithë të tjerët. Është e pavërtetë absolute që VMRO-DPMNE-ja ka diçka kundër bashkësive të caktuara në Maqedoni. Ne krijuam mundësi për të gjithë dhe ndërtuam për të gjithë –deklaroi Nikolla Gruevski.
Nga ana tjetër Gruevski hapur ka ftuar qytetarët maqedonas të dalin në mbrojtje të vendin që sipas tij, rrezikohet nga kërkesat e palës shqiptare.
Fatlume Dervishi