Më shumë se një vit ka kaluar nga vrasja e Behar Sofisë në Tiranë, pranë Rrugës së Elbasanit. Ekzekutori ia mori jetën 65-vjeçari nga Berati pranë Piramidës, në një zonë të populluar, në sy të shumë kalimtarëve të rastit duke përdorur një pistoletë me silenciator.
Për ta vrarë, atentatorët e nxorën Sofinë “në shesh”, pasi ai nuk dilte për shkak të problemeve që kishte. Viktima ishte biznesmen, ndërsa rezulton që të jetë i dënuar jashtë vendit për trafikim të lëndëve narkotike. Ai kishte pasur disa biznese pranë stadiumit Dinamo, si bar/kafe dhe aktivitete të tjera, të cilat në disa raste janë sulmuar me tritol.
Këtë të hënë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për vrasjen e Behar Sofisë dhe ka çuar për gjykimin dosjen e pesë të akuzuarve. Këta të fundit janë: Leonard Xhixha, Bujar Leza, Skënder Vathi, Xhuljano Visha dhe Ernejt Shyti.
Të pestë të pandehurit janë dërguar për gjykim me masë sigurimi arrest në burg dhe të akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” në dëm të viktimës Behar Sofia, finalizuar në datën 25.2.2021;
NJOFTIMI NGA SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake, në datën 26.04.2022 përcolli në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për “Dërgimin për gjykim” të procedimit penal nr.150/1 të vitit 2022 në ngarkim të të pandehurve;
Leonard Xhixha,
Bujar Leza,
Skënder Vathi,
Xhuljano Visha,
Ernejt Shyti.
Të pestë të pandehurit janë dërguar për gjykim me masë sigurimi arrest në burg dhe të akuzuar për veprat penale si vijon:
“Vrasja me paramendim” në dëm të viktimës Behar Sofia, finalizuar në datën 25.2.2021;
“Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Grupi i strukturuar kriminal” në rolin e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2 278/1, 333/a/2 dhe 334 i Kodit Penal.
Hetimet vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Dinamika e ngjarjes
Pak orë pas vrasjes së Behar Sofisë, policia ngriti dyshimet e para se atentati ka qenë i mirëorganizuar. Fillimit, mendohej se autorët e kishin qëlluar objektivin e tyre nga një automjet në lëvizje.
Menjëherë, hetuesit nisën këqyrjen e kamerave të sigurisë në ambientet e godinave përreth për ta identifikuar targën e automjetit apo personat që mund të ishin të përfshirë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09.00 të mëngjesit, ndërsa Sofia u gjet i plagosur në trotuar dhe më pas humbi jetën rrugës për në spital. Behar Sofia është një emër i njohur për policinë si një person i përfshirë në aktivitete kriminale të drogës.
Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.
Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.
Pista kryesore e hetimit ishte ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël ishte që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.
Policia nis kontrollet në banesën e viktimës, shoqërimet
Të enjten e ekzekutimit, kontrollet e policisë u shtrinë në banesën e Sofisë, ku pritej të sigurohen pamje nga ambientet përreth, për të mësuar nëse 66-vjeçari vrojtohej nga atentatorët.
Më pas, filluan edhe shoqërime tnë polici të personave që mund të kishin dijeni apo gisht në ngjarje. Grupi hetimor sekuestroi pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të bizneseve dhe objekteve afër Piramidës.
Policia shoqëroi disa persona lidhur me vrasjen e Sofisë. Rreth një muaj më vonë një 23-vjeçar i arrestuar në Mal të Zi i është dorëzuar autoriteteve shqiptare sot në mesditë i dyshuar si autor i vrasjes së Behar Sofisë.
Ernejt Shyti pranon krimin
Më 13 mars, në pranga ra 23-vjeçari Ernejt Shyti, i cili ka pranuar krimin para autoriteteve të drejtësisë. Vrasja e Sofisë dyshohet të jetë kryer me pagesë, ndërsa policia ka arrestuar edhe tre bashkëpunëtorët e 23-vjeçarit, të cilët janë nga Kërraba dhe Fushë Kruja.
Sa i takon autorit të krimit, 23-vjeçarit Shyti, ai jetonte me qira me nënën e tij, në kryeqytet, te rruga “Bardhyl”. Ai është identifikuar nga ADN-ja e lënë te rrobat që braktisi te liqeni, pas vrasjes.
Shyti punonte si bojaxhi në Mal të Zi. Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe tre bashkëpunëtorët e 23-vjeçarit nga Kërraba dhe Fushë Kruja.



