Përskaj ndryshimeve ligjore me të cilat u thjeshtësuan dhe përshpejtuan procedurat për regjistrimin në librat amë dhe pajisja me certifikata, në Maqedoninë e Veriut vazhdojmë të kemi mbi 600 persona fantomë.
“Fatkeqësisht nga 700 persona, vetëm 400 i përgjigjen apelit… të cilët u evidentuan në qendrat për punë sociale, por vetëm gjysma e tyre i plotëson kushtet për t’u evidentuar në librat e posaçëm dhe deri në momentin kur po e mbajmë këtë pres konferencë, shumica e tyre ende nuk e kanë realizuar këtë të drejtë. Nga informatat e fundit që I kam, vetëm 60 prej tyre, që janë evidentuar në librin e posaçëm për librat amë, kanë edhe çertifikatë të lindjes”, deklaroi Naser Ziberi, Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit, Naser Ziberi, thotë se një numër i madh i këtyre personave janë viktimë e mënyrës së funksionimit të Institucioneve. Si rast tipik, përmendi atë të 13 vjeçares, e cila së fundmi, me ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, për herë të për herë u pajis me certifikatë të lindjes. Edhe pse nevojitej vetëm një dokument, Ziberi tha se Drejtoria kompetente ka kërkuar kompletimin e dhjetëra dokumenteve, që sipas ligjit të ri, nuk ishin aspak të nevojshme.
“Shërbimet tona erdhën te konstatimi se të gjitha dokumentet që në mjegull I janë thënë gjyshes se duhet t’I sigurojë del se sipas ligjit janë të panevojshme. Vetëm një vërtetim se fëmija A.SH në këtë rast…ka lind në klinikën për akusheri dhe gjinekologji dhe kjo mjaftueshëm që MPB ti përcaktojë numrin amë dhe me vërtetimin dhe numrin amë që e ka përcaktuar MPB, drejtoria ta evidentojë dhe ta pajis me certifikatë”, shtoi Naser Ziberi, Avokati i Popullit.
-A do të thotë kjo se institucionet nuk janë të njoftuar me ligjin,?
“Nuk do të hy se sa institucionet e njohin, ose e njohin por nuk e zbatojnë, ose nuk janë azhurnuar në mënyrë të mjaftueshme që lëndët të mos presin.”
Për shkak të mos evidentimit, në vitin 2023, një person nga Shkupi, mbeti për gati 10 ditë në morg dhe familja nuk kishte mundësi të kryente ceremoninë mortore. Pas kësaj pasoi greva e aktivistit për liritë dhe të drejtat e njeriut, Suat Misini i cili mbajti disa ditë grevë me etje përpara Kuvendit, duke kërkuar që të miratohen ndryshimet ligjore në favor të personave fantom në shtet. Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore si pako edhe atë në: Ligjin për letërnjoftimet, Ligjin për evidencën amë dhe Ligjin për paraqitjen e vendbanimit dhe vendqëndrimit. Pavarësisht miratimit të tyre, kjo çështje mbetet e pazgjidhur.