Problemi i mungesës së çerdheve në qytetin e Kumanovës është një problem i bartur me vite të tëra. Edhe pse nga qeveria e kaluar janë bërë disa lëvizje në këtë drejtim, por ende nuk është zgjidhur përfundimisht ky problem. Sipas informacioneve tona mbi 400 fëmijë kryesisht të nacionalitetit shqiptar janë në listën për pritje për t`u regjistruar në çerdhe. Dhe çerdhet në Kumanovë mungojnë. Si duket janë luks i mungesës së interesimit të institucioneve publike për ta zgjidhur këtë problem.
Almakos tentoi që të marr një prononcim nga drejtoria e çerdheve në Kumanovë, por ata nuk iu përgjigjën thirrjeve tona telefonike.
Në lidhje me këtë temë iu drejtuam edhe këshilltarëve komunal të BDI-së, Adelina Ademi, Aleancës për shqiptarët, Osama Muadini dhe Lëvizjes Besa, Florim Imeri. Vetëm Florim Imeri dhe Hadi Osmani drejtor i bashkësive ndëretnike në LSDM dega në Kumanovë ishin të interesuar në lidhje me këtë gjë.
Në një prononcim për portalin Almakos, Hadi Osmani nga LSDM-ja na premtoi se do të interesohet për ta zgjidhur këtë problem.
Ai na tha se pret që shumë shpejtë të ketë një takim me ministren e punës dhe politikës sociale për të diskutuar në këtë temë.
“Për fat të keq, shteti gjatë kohë nuk ka investuar në këtë drejtim, edhe pse numri i fëmijëve është rritur, sikurse është rritur edhe numri i familjeve të interesuara për të dërguar fëmijët në çerdhe. Unë do të këmbëngulë edhe te autoritetet komunale edhe te ato republikane që gjendja e tanishme të ndryshoje dhe të kërkohet zgjidhje urgjente, sa më shpejtë që është e mundur. Pres takim të shpejt me ministren Mila Carovska, ku do ta informoj për këtë gjendje dhe do të kërkojë që ajo të tejkalohet sa më shpejtë”, deklaroi Hadi Osmani për portalin Almakos.
Përndryshe në planin urbanistik të qytetit të Kumanovës është e planifikuar edhe ndërtimi i një çerdhe në Lagjen e trimave, ku sipas këshilltarit të Lëvizjes Besa, Florim Imeri ai lokacion është kontestues.
“Ka një program zhvillimor të vitit 2018 ku janë paraparë ndërtime të çerdhes në rrugën Bajram Shabani”, deklaroi Florim Imeri për portalin Almakos.
Imeri e pranon se ka mungesë të çerdheve me të cilën gjë pajtohen të gjithë këshilltarët dhe kryetari i komunës.
“ Është evidente se ka mungesë të çerdheve. Më këtë gjë pajtohen të gjithë, edhe kryetari edhe këshilltarët, për këtë arsye edhe i kanë adoptuar hapësirat e ish shtëpisë së pionerëve për çerdhe dhe është paraparë ndërtimi i një çerdhe në rrugën Bajram Shabani. Lokacioni në Lagjen e trimave që përmendet më duket se është i kontestuar, nuk e di saktë.”, deklaroi Florim Imeri për portalin Almakos.
Përndryshe në Kumanovë mungojnë edhe çerdhet private alternative përmes së cilave do të zgjidhej njëherë e mirë problemi i vazhdueshëm i kumanovarëve. Ekzistojnë disa ilegale të cilat nuk i plotësojnë kushtet për nevojat e fëmijëve të Kumanovës.
Hamdi Nuhiju/Almakos

