Ishte zilja e shkollës ajo që i bashkoi sërish fëmijët, për të filluar vitin e ri shkollor. Fëmijët të shoqëruar nga prindërit e tyre, po prisnin momentin që mësuesit e tyre t’i ftojnë për të hyrë në klasë. Për ta, tanimë po hapej një kapitull i ri, ai i nxënies së dijes. Paralelisht me nxënësit ishin të emocionuar edhe prindërit dhe mësuesit.
Drejtori i Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”, Faik Xhoni, njoftoi se në klasën e parë këtë vit shkollor startojnë 70 nxënës dhe ky numër nga viti në vit rritet. Ndërsa për faktin që nxënësit mësojnë në një objekt të përbashkët me studentët e Universitetit të Tetovës si dhe tani edhe me studentët e Universitetit “Nënë Tereza”, ai tha se kjo nuk ju paraqet problem pasi që hyrjet i kanë të ndara.
FAIK XHONI, DREJTOR I SHKOLLËS FILLORE “KONGRESI I MANASTIRIT”
“Fillimisht ju dëshiroj nismë të mbarë gjithë nxënësve të cilët prej sot ka filluar viti i ri shkollor. Sot, sigurisht e keni vërejtur edhe vet, ishte kënaqësi e madhe, ku ishin të gjithë prindërit së bashku me fëmijët e tyre. Kemi objekt të përbashkët, mirëpo është krejtësisht e ndarë, s’kemi qasje, ata kanë hyrje të veçantë, kanë një kat të veçantë”.
E njëjta atmosferë mbizotëronte edhe tek nxënësit, që kishin filluar vitin e parë në shkollën e mesme. Ata shpresonin që ky vit shkollor të ju sjellë sa më shumë suksese.
Nxënëse:
“Nga ky vit shkollor pres shumë sukses prej anës sime dhe për gjithë nxënësit që kanë hyrë në vitin e parë”.
Nxënës:
“Unë sot po ndihem shumë mirë. Nga kjo shkollë dua që të bëhem një mjek i mirë dhe të mjekoj shumë njerëz”.
Drejtori i Shkollës së Mesme “Cvetan Dimov”, Besnik Ajeti, u shpreh se në këtë shkollë nuk është përmbushur gjithë numri i nxënësve që e kanë planifikuar, por gjithsesi gjithë nxënësve që kanë shfaqur interesim për këtë shkollë ju dëshiron fillim të mbarë.
BESNIK AJETI, DREJTORI SHKOLLËS SË MESME “CVETAN DIMOV”
“Sot është fillimi i vitit shkollor 2017-2918. Edhe ne si çdo shkollë tjetër kemi startuar me vitet e reja me paralelet që i kemi në këtë shkollë. Zakonisht ne me konkurs i kemi pasur 12 paralele të nxënësve për vitin 2017-2018, prej të cilëve janë mbushur vetëm 10 paralele”.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se për vitin shkollor 2017/2018, në klasë të parë do të fillojnë mbi 20.000 nxënës. Ndërsa nëpër shkollat e mesme 17.131 nxënës të rinj. Emine Ismaili /SHENJA/

