Mbi 16.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kaluar përgjatë vendkalimeve kufitare “Bogorodicë” dhe “Tabanoc” gjatë 24 orëve të fundit, duke reflektuar një fluks të shtuar të lëvizjes në kufi.
MARKETING
Sipas të dhënave zyrtare, nga Ministria e Punëve të Jashtme në vendkalimin kufitar Bogorodicë, nga dita e djeshme në mesditë deri sot në mesditë, nga vendi kanë dalë 6.864 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në territorin e shtetit kanë hyrë 1.394 qytetarë.
Në të njëjtën periudhë, është regjistruar edhe hyrja e 4.753 shtetasve të huaj, ndërsa 5.070 të tjerë kanë dalë nga vendi.
Autoritetet bëjnë të ditur se këto të dhëna vijnë në ditën e parë të zbatimit të plotë të sistemit të ri digjital të Bashkimit Evropian, EES (Entry/Exit System), i cili menaxhon hyrje-daljet në zonën Shengen dhe synon rritjen e sigurisë dhe kontrollit kufitar.
Ndërkohë, fluks i ngjashëm është regjistruar edhe në vendkalimin Tabanoc, duke konfirmuar rritjen e qarkullimit të udhëtarëve në pikat kryesore kufitare të vendit.

