Djali i mitur 8 vjeç, i cili mbeti i aksidentuar një ditë më parë në Durrës, pritet të transferohet në pavijon.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë të ditur se i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve, për trajtimin e plagëve të marra si pasojë e aksidentit.
Kujtojmë që në aksidentin e ndodhur një ditë më parë (3 maj) humbi jetën vëllai i 8-vjeçarit dhe kushëriri i tij.
Policia e Durrësit arrestoi shoferin, shtetasin Nikoll Radaçi, i cili një ditë më parë shkaktoi një aksident tragjik.
57-vjeçari duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e makinës dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Nga aksidenti i rëndë humbën jetën fëmijët e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç, ndërsa i mituri tjetër, një 8 vjeçar ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.
“Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës”, sqaron policia.
Shoferi problematik, ishte i dehur
Policia thotë se nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se 57-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.
Ai akuzohet veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.


