Mbetet pezull sistemimi i 800 nëpunësve shtetëror. Statusi i tyre nuk mund të zgjidhet deri në formimin e qeverisë së re. Sekretari shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Jahi Jahiu thotë se Komisioni për Anti- Korrupsion ka penguar çdo sistemim të mundshëm për shkak të periudhës para dhe pas zgjedhore.
Sipas mendimit të Komisionit Shtetëror për Anti-Korrupsion dërguar te të gjitha institucionet, në këtë periudhë të gjitha procedurat për transfer që janë të filluara ndërpriten dhe vazhdohen pas formimit të qeverisë së re. Ndërsa nuk do të ketë procedura tjera që do të fillojnë – deklaroi Jahi Jahiu, sekretar shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Jahiu nuk saktëson se sa kohë do të duhet pas formimit të qeverisë për sistemimin e qindra nëpunësve shtetëror, pasi sipas tij procedura është e komplikuar dhe varet nga më shumë institucione.
Nuk mund të precizoj sa kohë nevojitet që të mbarojnë transferet, ose të mbarojë një transfer i vetëm. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për një institucion të vetëm, por bëhet fjalë për një procedurë më konglomerate – shtoi Jahiu.
Kohë më parë zv/ kryeministri, Festim Halili paralajmëroi se 800 prej 1700 nëpunësve që marrin rroga dhe qëndrojnë në shtëpi do të sistemohen në administratë, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas informacioneve të Alsat M në mesin e këtyre 1700 nëpunësve administrativ ka persona që prej vitit 2006 presin të ulen nëpër vendet e punës. Gjatë vitit 2016 për rroga dhe kompensime për nëpunësit administrativ të cilët nuk janë të sistemuar nëpër vendet e punës, nga buxheti janë ndarë 9,6 milion euro. Shuma e njëjtë planifikohet edhe për këtë vit.
https://www.youtube.com/watch?v=onjqZxhgc-Y