Në një ceremoni të thjeshtë u inaugurua dje në Gostivar zyra e shoqatës së shurdhëmemecëve, ku morën pjesë edhe drejtues të Lidhjes nacionale të shoqatave të shurdhmemecëve.
I pranishëm në takim, kryetari i Komunës së këtij qyteti Nevzat Bejta përgëzoi shoqatën për punën që kryen dhe u shpreh se ata janë pjesë e krenarisë së Gostivarit.
“Një nga gjërat për të cilat qytetarët e Gostivarit janë më krenarë se çdo gjë tjetër është shumëllojshmëria. Por shumëllojshëria nuk është vetëm komunitetet e ndryshme etnike. Shumëllojshmëria nuk është vetëm besimet e ndryshme fetare. Shumëllojshmëria është edhe të kesh aftësi në gjëra të ndryshme,” u shpreh Bejta.
Bejta shtoi se puna e shoqatës është e domosdoshme në të mirë të komunitetit që ajo përfaqëson.
“Kjo shoqatë është shembull për qytetarinë e Gostivarit. Të gjithë duhet të punojmë në të mirë të komunitetit tonë, duke kontribuar kështu edhe në të mirë të qytetit tonë. Komunën, mua personalisht, por edhe qytetarët e Gostivarit do t’i keni krah në punën tuaj,” tha Bejta.
Kryetari i Lidhjes nacionale të shoqatave të shurdhmemecëve Vasko Markov falënderoi Komunën për mbështetjen.
“Pas 30 vitesh shoqata bëhet me zyrë. Falenderojmë kryetarin Nevzat Bejta dhe Komunën e Gostivarit për kujdesin e treguar. Është herë e parë që i jepet mbështetje institucionale shoqatës së Gostivarit dhe jemi mirënjohës,” u shpreh z. Markiv.
Mirënjohje shprehu edhe Nuhi Memedi, kryetari i Shoqatës së Shurdhmemecëve në Gostivar.
“Falë ndihmës suaj, nga kjo zyrë do t’i organizojmë aktivitetet tona. Falënderojmë kryetarin Bejta për kujdesin dhe mbështetjen e dhënë.”
Kryetari i Komunës Nevzat Bejta siguroi se mbështetja do të jetë edhe në vazhdim.
“Gostivari i do të gjithë qytetarët e tij,” tha ai.
“Faleminderit që jeni pjesë e krenarisë sonë të shumëllojshme”.