Përdorimi i energjisë së diellit në Bashkimin Evropian sivjet po shënon shifra dyshifrore. Pavarësisht pandemisë , të dhënat e fundit të “SolarPover Europe”, tregojnë se në vitin 2020, 22 nga 27 vendet e tanishme anëtare të BE-së instaluan më shumë sisteme diellore sesa një vit më parë. Gjithashtu, është rritur edhe kërkesa për impiantet për prodhimin e energjisë nga diellit apo kërkesa për sisteme diellore fotovoltaike me 11 për qind. “E gjithë kjo ka rezultuar që Bashkimin Evropian të rrisë kapacitetin kumulativ të instaluar të energjisë diellore me 15 për qind në 137,2 GIGAVAT deri në fund të vitit 2020”, theksohet më tej në analizë. Nga ana tjetër edhe në Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit po rritet ngadalë por sigurt, përdorimi i energjisë së diellit. Në vitet e fundit nga të gjithë qeveritë edhe ajo aktuale, por edhe nga qeveria e kaluar po bëhen përpjekje të mëdha për shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme si të erës, diellit, ujit etj.
ENERGJI EKOLOGJIKE
Aktualisht planifikohet nga ana e ekzekutivit përkrahja për ndërtimin e elektranave me diell me fuqi prej mbi 200 megavat orë, prodhimi i energjisë elektrike i të cilave do të jetë e barasvlershme me konsumin e afër 150 mijë amvisërive. Në vitin e ardhshëm pritet realizimi i ndërrimit të burimti të energjisë në Termoelektranën e Osllomesë nga qymyri në energji të diellit. Apo me fjalë të tjera në gjysmën e dytë të vitit 2021, pritet që të prodhohen edhe megavatët e parë të rrymës nga dielli të kapaciteteve që fillimisht do të kenë 10 megavat orë, ndërsa më vonë do të ndërtohen edhe dy impiante prej nga 50 megavat. Vlera e investimeve do të jetë 60 milionë euro.
Pritet që ky kapacitet i ri energjetik të sigurojë energji për 2000 amvisëri në Kërçovë. Njëherësh ky impiant për prodhimin e energjisë elektrike do të shndërrohet nga një objekt që ndot ambientin, në një objekt ekologjik që do të prodhojë energji të pastër elektrike.
Do të përpunohet edhe studimi fizibilitetit apo arsyeshmërinë ekonomike të realizimit të projektit të ndërtimit të tre elektranave diellore me një kapacitet prej 160 megavat në Termocentralin e Manastirit. Pritet të ndërtohen edhe elektrana me diell me kapacitet prej 62.5 megavat pas procedurave ligjore të përfunduara, ndërsa deri në muajin mars 2021 do të shpallen edhe tenderi i ri për ndërtimin e 60 megavat shtesë të elektranave me diell. Këto investitorë privat, energjinë e prodhuar do të shesin në tregun e lirë, ndërsa nga shteti do të përkrahen në parimin e tarifave premium, që funksionojnë në më shumë shtete.
TREGU I PËRBASHKËT ENERGJETIK
Njohësit e sektorit të energjetikës thonë se me përdorimin se vjen e më të madh të energjisë së diellit dhe erës ku vetëm në parkun Bogdanci janë ndërtuar elektrana me erë me prodhim vjetor prej 137 gigavat në orë për afër 6000 amvisëri do të rritet pjesëmarrja e burimeve të rinovueshme të Elektranave të Maqedonisë për 3 për qind. Njëherësh këto sisteme të reja energjetike sipas ekspertëve do të duhet të mendohet edhe për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik, për shkak se energjia e rinovueshme mbështetet në parashikimin e motit, dhe nuk mund të kontrollohet në tërësi. Me fjalë të tjera në Ballkan do të rritet nevoja që nuk mungon as aktualisht e balancimit të prodhimit dhe konsumit të energjisë nga qymyri dhe gazi nga njëra në stinën e dimrit dhe prodhimi i energjisë, nga uji, era apo dielli në stinën e verës. Në këtë drejtim do të ndihmojë edhe tregu i përbashkët energjetik si dhe ndërtimi i autostradave energjetike në Ballkanin perëndimor.
Në ndërkohë, analizat tregojnë se suksesi i energjisë diellore vjen së bashku me vendimin për zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, një grup nismash politike të Komisionit Evropian që synojnë ta bëjnë Evropën me klimë neutrale deri në vitin 2050.
“Sektori diellor evropian vlerëson përpjekjet e Komisionit Evropian për të vendosur synime ambicioze të reduktimit të karbonit, drejt neutralitetit të klimës përmes Marrëveshjes së Gjelbër, dhe përmes mjeteve të ofruara në planin e saj të rimëkëmbjes së brezit të ardhshëm që lidhin mbi një të tretën e mbështetjes financiare për vendet anëtare për shpenzimet e lidhura me klimën”, thekson analiza. Përveç kapacitetit të instaluar të energjisë diellore, marrëveshja e gjelbër ofron shumë mundësi për të nxitur rritje të shpejtë energjisë diellore në Evropë. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se Gjermania instaloi 4.8 Gigavat duke u bërë përsëri tregu më i madh i energjisë diellore në Evropë, pozitë kjo të cilën ajo mbajti për pjesën më të madhe gjatë 20 viteve të fundit. Pesë vendet e tjera kryesore përfshijnë Holandën me 2.8 Gigavat, udhëheqësi i tregut të vitit të kaluar Spanja me 2.6 Gigavat Polonia, e cila më shumë se dyfishoi vendosjen vjetore të energjisë diellore në 2.2 Gigavat, dhe Franca me 0.9 Gigavat .
PËRPARËSITË E ELEKTRANAVE SOLARE
Impiantet për prodhimin e energjisë nga dielli do të shënojnë në ekspansion të madh në vitet e ardhshme me një rritje prej 13 për qind në vit në dekadën e ardhshme. Kjo do të mbulojë gati një të tretën e kërkesës për energji elektrike në periudhën 2020-2030, me çka “solari” do të bëhet sunduesi i ri i tregjeve energjetike të rrymës. Kjo theksohet ndër të tjerash në raportin për perspektivën e sektorit energjetik në botë “Vorld Energy Outlook 2020”, të publikuar nga AgjenCia ndërkombëtare e Energjetikës (IEA).
Fatih Birol,drejtor ekzekutiv i IEA, vlerëson se energjia diellore do të bëhet “mbreti i ri “ i tregjeve botërore të energjisë elektrike , ndërsa shton se sipas politikave aktuale shtetërore pas vitit 2022, do të vendosen edhe rekorde të reja në kapacitetet e reja të ndërtuara për prodhimin e energjisë nga dielli. Energjia e ujit apo Hidroenergjija do të mbetet burimi më i madh i rinovueshëm i energjisë, por megjithatë energjia diellore do të bëhet burimi kryesor i rritjes e pasuar nga energjia e erës. Njëherësh teknologjia e impianteve për prodhimin rrymës nga dielli në më shumë shtete është më e lirë se elektranat me gaz apo qymyr, ndërsa elektranat diellore apo solare prodhojnë rrymë sipas çmimeve më të ulëta se kurdo herë më parë, thekson raporti i Agjencisë ndërkombëtare të Energjetikës. (koha.mk)




