Analisti Ilir Kulla ka vlerësuar publikisht qëndrimin e aktorit Robert Ndrenika, për mbështetjen publike që ai i dha kryebashkiakut Erion Veliaj në sallën e gjyqit në Gjykatën Administrative.
Në një reagim me SMS në emisionin e gazetares Erla Mëhilli në Euronews, Kulla përshëndeti qëndrimin e Ndrenikës, duke e krahasuar edhe me një histori personale nga historia e familjes së tij gjatë diktaturës komuniste.
“Kur u burgos në 1982 Lirim Pëllumbi, oficer i Ministrisë së Brendshme, armik i popullit, vëllai i Servet Pëllumbit, në atë kohë u braktis nga shumë njerëz të afërt dhe të largët, të cilëve u kishte bërë ndere dhe të mira. Ndër të pakët njerëz që i shkonin ta takonin në burg ishin prindërit e mi, të cilët ishin ndihmuar në ditë të vështirë nga Lirim Pëllumbi. Sot e kësaj dite jam krenar për prindërit e mi që iu gjendën në ditë të vështirë një njeriu në fatkeqësi. Jeta e solli që të isha aty kur vdiq Lirim Pëllumbi në Siçili në 1996. Sot e kësaj dite krenar për atë kohë dhe prindërit e mi. Bravo Robet Ndrenika”, tha Kulla.


