Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse të hënën e ardhshme do të diskutojë nëse ka nevojë për vendosjen ose jo të ndonjë mase parandaluese për përhapjen e llojit “Delta” të virusi, i cili çdo ditë e më shumë po regjistrohet nëpër shtete të ndryshme të botës. Megjithatë ministri i Shëndetësisë Venko Filipce tha se për momentin fokusi kryesor është vaksinimi i popullatës. Gjatë ditës së sotme arritën 10.000 doza Astra&Zeneca donacion nga shteti kroat, ndërkohë që Kroacia do t’i dhurojë Maqedonisë edhe 20,000 doza tjera të Astra&Zenecës. Javës së ardhshme arrijnë edhe vaksinat ruse “Sputnik V” ndërkohë që për momentin nëpër pikat e vaksinimit në vend në dispozicion për dozën e parë janë vaksina Pfizer dhe ajo kineze “Sinovak”.
“Të martën e ardhshme do të mbarojë vaksinimi i të gjithë qytetarëve të paraqitur në të gjithë qytetet e vendit përpos Shkupit, Tetovës dhe Manastirit ku vaksinimi i qytetarëve të paraqitur në këto qytete do të ndodh të premten e ardhshme. Që do të thotë se numri total i të vaksinuarve deri javën e ardhshme do jetë rreth 500.000, shifër e cila mendojmë se nuk është e mjaftueshme. Shfrytëzojmë rastin të ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve të paraqiten”, tha Venko Filipce, Ministër I Shëndetësisë.