Policia e Tiranës ka arrestuar një 45-vjeçar në kuadër të operacionit të koduar “Garage”. Sipas uniformave blu, ai mbante të fshehur në garazhin e tij armë zjarri.
Gjatë kontrollit të kryer në garazh dhe në banesën e tij, në rrugën “Teodor Keko”, shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri pistoletë të modifikuar për të vendosur silencator, një shkop gome si të policisë, dhe një shkop bejsbolli, të cilët u morën si prova materiale.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatin të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri dhe sende të paligjshme në garazh dhe në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Garage”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi K. Dh., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të garazhit dhe të banesës së 45-vjeçarit, në rrugën “Teodor Keko”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë e modifikuar për ti vendosur silencator, një shkop gome si të policisë dhe 1 shkop bejsbolli.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.