Të enjten dhe të premten u zhvillua në Pekin takimi i dytë i mekanizmit të konsultimeve për tregtinë dhe investimet Kinë-BE. Të dyja palët arritën konsensus për 16 rezultate konkrete në katër fusha kryesore dhe ranë dakord që takimi i tretë të zhvillohet në mars të vitit 2027. Kjo tregon gatishmërinë e Kinës dhe BE-së për të menaxhuar mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe për të shmangur përshkallëzimin e fërkimeve.
Kina dhe Bashkimi Evropian janë partnerë strategjikë gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimi përbën drejtimin kryesor të marrëdhënieve të tyre. Në qershor të këtij viti, Kina dhe BE-ja krijuan mekanizmin e konsultimeve për tregtinë dhe investimet, që përfshin katër fusha: ekuilibrin e tregtisë dhe investimeve, kontrollet e eksporteve, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe reformën e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
Në takimin e fundit, të dyja palët ritheksuan statusin e tyre si partnerë të rëndësishëm tregtarë dhe angazhimin për marrëdhënie të qëndrueshme e të balancuara, duke rënë në një mendje që t’i trajtojnë mosmarrëveshjet brenda kuadrit të rregullave të OBT-së. Gjashtëmbëdhjetë pikat e konsensusit trajtojnë shqetësimet e industrisë, veçanërisht në sektorin e automobilave. Palët arritën mirëkuptim për tregtinë e automjeteve hibride dhe do të vijojnë procedurat lidhur me angazhimet e ndërmarrjeve për çmimet dhe rishikimin e çështjes antisubvencion të BE-së ndaj automjeteve elektrike kineze. Përparime u shënuan gjithashtu në kontrollet e eksporteve dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, duke treguar se mekanizmi ka kaluar nga krijimi i kuadrit të bashkëpunimit në fazën e zbatimit të rezultateve konkreteS
Ekonomitë e Kinës dhe BE-së përbëjnë së bashku mbi një të tretën e ekonomisë botërore, ndërsa vëllimi i tyre tregtar përfaqëson mbi një të katërtën e tregtisë globale. Marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të shëndetshme ekonomike e tregtare Kinë-BE jo vetëm u sjellin përfitime të dyja palëve, por kontribuojnë edhe në rritjen ekonomike globale dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë e të furnizimit. Marrëveshja për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin mbi reformën e OBT-së ka gjithashtu rëndësi për mbrojtjen e sistemit tregtar shumëpalësh.






