Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni “Matusiteb“, organizoi konferencë shkencore, me rastin e 70 vjetorit të dënimit me burg të shumë pjesëtarëve dhe ekzekutimit të 4 dëshmorëve të Lëvizjes Juxhel, të cilët llogariten edhe si simbol i kësaj lëvizjeje. Drejtori i Matusitebit, Hysref Emin, tha që këta dëshmorë duhet të nderohen pasi kanë qenë bartësit kryesor të kauzës turke në Maqedoni.
HYSREF EMIN, DREJTOR I MATUSITEB-IT
“Lëvizja Jyxhel është një çështje apo një kauzë tepër e rëndësishme nga e kaluara e afërme e turqëve në Maqedoni dhe mendoj se me të vërtetë kemi nevojë t’i njohim nga afër këta persona dhe këtë lëvizje”
Prorektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Shener Bilall deklaroi se “Lëvizja Jyxhel” nuk është një lëvizje revoltuese, mirëpo ështe lëvizje intelektuale të cilës duhet t’i jepet respekti i merituar.
SHENER BILALL, PROREKTOR I UNIVERSITETIT NDERKOMBËTAR BALLKANIK
“Lëvizja Jyxhel nuk është një lëvizje revoltuese kundër regjimit komunist në Jugosllav, por është një lëvizje intelektuale që ka tentuar të bëhet vetëdijsimi i popullatës turke në Ballkan dhe të shkatërrohet ëndrra e Jugosllavisë që tërë ato vite kanë menduar se është një realitet”
Në konferencë pjesëmarrës ishin shumë profesorë nga Turqia dhe Maqedonia. Levizja Juxhel është formuar në vitin 1941 nga turqit që jetonin në Maqedoni, me qëllim ruajtjen dhe vazhdimësinë e vlerave kombëtare dhe shpirtërore si dhe traditave turke. Në vazhdën e zhdukjes së të gjitha organizatave nacionaliste në Jugosllavi, në gusht të vitit 1947, 16 persona u burgosën dhe ndaj tyre u hap procesi gjyqësor. Më 25 janar të vitit 1948, u mor vendimi për dënim me vdekje. Më 27 shkurt, katër pjesëtarë të Lëvizjes Jyxhel u ekzekutuan, ndërsa për të tjerët u vendosën dënime të rënda me burg. /SHENJA/