Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burg dy të pandehur, të cilët akuzohen për përfshirje në një skemë kriminale mashtrimi ndaj shtetasve europianë.
Jusel Mici u dënua me 8 vite burg, ndërsa Mendim Domi me 7 vite e 4 muaj, pas gjykimit të zhvilluar me procedurë të shkurtuar. Ata janë shpallur fajtorë për veprat penale: mashtrim kompjuterik në bashkëpunim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehje të ardhurash.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, të pandehurit ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që përmes mashtrimeve online ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, që arrijnë në miliona euro, në dëm të shtetasve të ndryshëm europianë.
Pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të uljes me 1/3, në bazë të procedurës së shkurtuar, të dy të dënuarit do ta vuajnë masën në burg të sigurisë së lartë.
Konfiskimi i pasurive
Po ashtu gjykata vendosi konfiskimin e një sërë pasurish në emër të të pandehurve dhe të afërmve të tyre, duke përfshirë:
Apartamente dhe prona të paluajtshme me sipërfaqe të konsiderueshme në zona të ndryshme të vendit.
Një llogari bankare me mbi 195 mijë euro dhe disa llogari të tjera me shuma në lekë.
Pasuri në emër të subjektit “Telex” sh.p.k, e sekuestruar gjatë hetimeve.
Pronësitë e bashkëpronarëve të tjerë të ligjshëm janë përjashtuar nga konfiskimi.
NJOFTIMI I PLOTE