Mashtrimi ka emër!

Mashtrimi ka emër!

Jo më kot shkencëtari dhe gjeniu i famshëm Albert Ajnshtajn ka thënë: “Marrëzi është të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme”. Nisur nga kjo, do të ishte për t’u habitur sikur procesi i regjistrimit të popullsisë, i cili nuk ka ndodhur tash e 19 vite, i paraparë të realizohet në prill të këtij viti, të kishte sukses dhe kështu të plotësohej edhe një detyrim ndaj Komisionit Evropian, i cili na e kishte bërë të qartë në raportin e fundit se regjistrimi i popullsisë duhet të kryhet gjatë vitit 2021.

S’do shumë mend për ta kuptuar se regjistrimi i popullsisë në vendin tonë nuk është vetëm një operacion i thjeshtë statistikor, por më tepër është politik, ngase të drejtat e popullit shqiptar (dhe të tjerëve) varen pikërisht nga përqindja e tyre në këtë shtet. Siç dihet, shqiptarët në kushtetutë janë definuar si “popull që është së paku 20%”.

Prandaj,  mobilizimi i mërgatës shqiptare dhe regjistrimi i më shumë se 170.000 personave i bëri bashkë kryetarët e dy partive maqedonase, Zaev dhe Mickovski, të cilët – të trishtuar nga ky mobilizim – ranë në ujdi që ta anulojnë regjistrimin. Kjo edhe nuk na habit kur dihet botërisht se projekte antishqiptare janë bërë gjithnjë gjatë historisë.

Mirëpo, fatkeqësisht, ajo e cila na brengos është mospërfillja ndaj BDI-së dhe aprovimi i saj pa fije turpi i një projekti të tillë antikombëtar. Kjo na e kujton kohën e vitit 2011 kur ata e uronin njëri-tjetrin me ngazëllim me “Për hajr kryetar, u anulua regjistrimi”. Po ata njerëz i kemi edhe sot në krye të detyrës, tash si dorë e zgjatur e partive maqedonase. Dallimi i vetëm është se atëherë urdhërdhënës ishte Gruevski e tash është Zaevi, por vartësi mbetet i njëjtë – Ali Ahmeti.

Ai i cili mashtron njëherë do ta bëjë këtë gjithë jetën. Prandaj, derisa nuk ka përgjegjësi mbi arsyet dhe milionat e harxhuara nga dështimi i regjistrimit të vitit 2011, nuk mund të ketë kredibilitet për ta kryer procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili është jetik për shtetin dhe, në veçanti, për shqiptarët.

Krejt në fund, konsideroj se kjo do të ishte e mundur nga një qeveri që do të kishte dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, e cila do të ngrihej mbi vullnetin politik për regjistrimin e popullsisë sipas të gjitha standardeve evropiane. Për fat të keq, kjo qeveri as nuk ka dalë nga zgjedhje të drejta e as nuk ka kredibilitet për procese të këtilla.

Sidoqoftë, tashmë mashtrimi ka emër – BDI!

Qemal Krosi