Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas të akuzuar për mashtrime të qëllimshme me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit. Të pandehurit Serxho Mahmutaj, Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kosta akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 45.5 milionë lekësh, përmes një skeme mashtruese me biznese dhe fatura fiktive.
Sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë ngritur tre subjekte tregtare, të cilat janë përdorur për të kryer veprime fiktive importi në favor të tregtarëve të ndryshëm. Qëllimi i skemës ka qenë shmangia e detyrimeve tatimore dhe furnizimi i tregtarëve me mallra pa faturë tatimore.
Hetimi ka zbuluar se Serxho Mahmutaj ka qenë organizatori i këtij aktiviteti të paligjshëm, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e besimit me tre personat e tjerë për të regjistruar subjektet në emrin e tyre. Sipas Prokurorisë, Mahmutaj ka përdorur metoda të ndryshme për të fshehur aktivitetin real dhe për të shmangur detyrimet ndaj shtetit.
Ndërkohë, Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kosta akuzohen për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Fillimisht ata kanë vepruar në mirëbesim, por më vonë kanë pranuar pagesa mujore dhe kanë hapur kompani në emër të tyre, duke u bërë pjesë e skemës mashtruese.
Subjektet e përfshira kanë realizuar një qarkullim total prej 303,781,520 lekësh, duke manipuluar shpenzimet për të ulur normën e tatim fitimit dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 45,567,228 lekësh.
Njoftimi i Prokurorisë:
Krijuan kompani për të kryer veprime fiktive importi në favor të tregtarëve të ndryshëm duke i shkaktuar shtetit një dëm 45.5 mln lekë, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 4 persona
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq katër persona për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehje e të ardhurave’ dhe ‘Moskallzim të krimit’ të parashikuara nga nenet 143, 180/25 dhe 300 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1695 të vitit 2024, rezultoi se shtetasit S.M., Z.R., E.S. dhe P.K. kanë krijuar tre subjekte tregtare për të kryer veprime fiktive importi në favor të tregtarëve të ndryshëm, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe furnizimin me mallra pa faturë tatimore.
Këto subjekte, të cilat kanë funksionuar si të ashtuquajturat “NIPT-e shëtitës”, kanë qenë të regjistruara me të dhënat personale të shtetasve Z.R, E.S. dhe P.K., ndërkohë që veprimet reale janë kryer nga shtetasi S.M, i cili përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo veprimtari.
Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se shtetasi S.M. ka përdorur marrëdhënien e tij të besimit me tre individët e tjerë për të ngritur subjekte biznesi në emër të tyre dhe për t’i përdorur si mjete për të realizuar aktivitetin e paligjshëm. Ai ka përdorur metoda të ndryshme për të shmangur tatimet dhe taksat.
Ndërkohë që tre shtetasit e tjerë, të akuzuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ fillimisht kanë vepruar në mirëbesim, por më pas kanë pranuar pagesa mujore dhe kanë pranuar hapjen e kompanive në emër të tyre.
Këto subjekte kanë kryer një qarkullim në vlerën 303,781,520 lekë, duke rritur shpenzimet për të ulur normën e tatim fitimit në vlerën 45,567,228 lekë, vlerë e cila konsiderohet si dëm ndaj shtetit.
Në përfundim të hetimeve, është provuar se veprimtaria kriminale përfshin elementët e veprave penale:
- “Fshehje të Ardhurash në bashkëpunim” – neni 180/25 i Kodit Penal
- “Moskallzim i Krimit” – neni 300 i Kodit Penal
- “Mashtrimi”-neni 143 i Kodit Penal.
Organet e drejtësisë mbeten të angazhuara maksimalisht në goditjen e fenomeneve që cenojnë integritetin ekonomik dhe sistemin tatimor të vendit.