Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se do të rrisë numrin e vendeve për regjistrim në shkollat e mesme komunale për vitin shkollor 2025/2026. Nga gjithsej rreth 28.000 vende të parashikuara për regjistrim, 18.500 vende janë ndarë për shkollat e mesme profesionale, prej të cilave 6.725 janë në arsim dual në 269 paralele.
Për këtë qëllim, Qeveria dhe MASH kanë rritur gjithashtu edhe numrin e bursave për arsimin dual, duke e çuar në 1.570. Gjithashtu, është rritur edhe numri i kompanive bashkëpunuese, ku nxënësit e regjistruar në paralelet duale, përveç mësimit teorik në shkolla, do të kenë mundësi të ndjekin praktikë profesionale në 550 kompani në mbarë vendin.
Ky model i arsimit dual ka për qëllim që nxënësit, krahas përgatitjes teorike, të fitojnë edhe aftësi praktike gjatë shkollimit, të cilat do t’i përgatisin për tregun e punës dhe do t’u japin mundësi për punësim të menjëhershëm pas përfundimit të arsimit të mesëm.
Për këtë program janë ndarë 50 milionë denarë, ndërsa nxënësit që do të regjistrohen në paralelet duale dhe që do t’i plotësojnë kushtet e konkursit për bursë, do të përfitojnë një bursë mujore prej 3.500 denarë për 9 muaj gjatë vitit shkollor.(INA)