Tekstet shkollore, mjetet mësimore, lektyra shkollore dhe dokumentacioni pedagogjik i përmbushin kërkesat edukative, shkencore, pedagogjike, psikologjike, didaktiko-metodike, etike, gjuhësore, artistike dhe teknike në pajtim me standardet dhe me objektivat e planeve dhe të programeve mësimore, kjo mbetet për t’u shqyrtauar nga këshilltarët, inspektorët, gjuhëtarët e shkrimtarët, pedagogët e mësimdhënësit. Në asnjë vend të botës nuk lejohen tekstet shkollore, mjetet mësimore, lektyrat shkollore dhe dokumentacioni pedagogjik që bëjnë propagandë kundër shtetit, ose qytetarëve të atij shteti, që cenojnë të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore dhe që nxisin urrejtje politike, nacionale dhe fetare. Vetëm në Maqedoni kjo ndodh. Ku ne kemi probleme me tekste shkollore, mungesë të librave, cilësi të dobët të tyre, përmbajtjet e pahijshme dhe shpesh herë nxitëse të urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare. Të gjitha këto probleme burimin e ka te mungesa e botuesve dhe autorëve shqiptarë në procesin e hartimit të testeve shkollore. Madje edhe paaftësia e përfaqësuesve shqiptar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në Maqedoni, për të parandaluar shkeljet ndaj shqiptarëve.
Predispozitat ligjore, të MASH-it, të cilat nuk lejojnë konkurrimin me dorëshkrime në gjuhën shqipe, janë absurde, për autorë, botues të librave, profesorë e gjuhëtarë, raporton Almakos.
Do të duhet një autor apo botues shqiptarë të mund të konkurrojë për botimin e një libri të caktuar, por duhet që domosdo të paraqet në MASH dorëshkrimin e librit në gjuhën maqedonase. Ku edhe Rregullorja përkatëse me të cilën MASH ka caktuar mënyrën e rregullave për botimin e teksteve shkollore përjashton çdo gjuhë tjetër jo maqedonase. Në instiutucionin e MASH-it, ka edhe shqiptarë, të cilët duhet të jenë më të përgjegjshëm mbi punën dhe kur bëhet fjalë për librat e fjalën shqipe. Sepse është edhe në dorën e tyre, si në të gjithë institucionin e MASH-it që ta rregullojë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, në libra,tekstet shkollore, përmes rregulloreve dhe formave juridike.
Profesori Universitar Zeqir Kadriu thotë se MASH-i, përherë ka patur përfaqësues shqiptarë, por kjo që ndodh i nënshtrohet një censure te pala shqiptare dhe se kjo që ndodh është absurde.
“Ka një mosbesim të skajshëm te ne shqiptarët, te autorët e librave. Në kuadër të ligjit, nuk është e definuar që çdo tekst duhet fillimisht të shkojë në gjuhën maqedone, por tekstet që janë për kulturën shqiptare, veçanërisht për gjuhën shqipe, ato duhet të jenë autorë shqiptarë, duhet të jenë edhe të përgaditura në gjuhën shqipe. Tani më duket shumë absurd, pse dikush që gjen mundësi për ta kufizuar këtë çështje, e cila është një atak edhe një pengesë, për prespektivën e së ardhmes të autorëve shqiptarë, sepse për të bërë një tekst aq të theksuar, në një gjuhë tjetër, jo që duhet kohë, por duhet mund, përkthyes dhe unë këtë e shoh një çështje tejet jo logjike, të pa mbështetur në ligj, krejtësisht të pa bazë. Nuk duhet të veprojë në këtë mënyrë Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ne kemi njerëz atje që na përfaqësojnë dhe këta duhen të deklarohen rreth kësaj çështje. Në rastet e tjera, pavarësisht se ka patur pakënaqësi, por nuk është rrefuzuar gjë, kanë punuar në atë çështje, që u përket shqiptarëve. Kjo është abstrakte që të shkruhet në gjuhën maqedonase e të përkthehet më pastaj në shqip. Kjo faktikisht i nënshtrohet një censure të dytë. Unë kujtoj se është një absurd i kohës dhe kështu nuk duhet të ishte”, tha profesori Universitar, Zeqir Kadriu, për Almakos.
Nga ana tjetër për mediat në vend nga Shtëpia Botuese “Albas”, thonë se rregullat e lojës aktualisht janë shumë të disfavorshme për botuesit shqiptarë. “Të konkurrosh me dorëshkrime në gjuhën maqedonase dhe pastaj t’i perkthesh të njëjtat në gjuhën shqipe, nuk është problem i vogël. Përveç se ka koston financiare, libri humb në cilësi si në aspektin metodologjik, ashtu edhe përmbajtjesor, mbase humbën edhe më shumë”, sqaron përgjegjësi për botimin e teksteve në Maqedoni. Shton se kjo procedurë i eliminon botuesit shqiptarë nga konkurrimi, pasi i ve në pozita të pabarabarta me botuesit maqedonas.
Edhepse në ligjin për botimin e teksteve shkollore nuk është e precizuar një gjë të tillë, por meqë ka paqartësi për botuesit MASH-i do të duhet ta rregullojë këtë çështje përmes rregulloreve dhe normave juridike.
Delvina Kërluku
Almakos.com

