10 April
Avokati i Popullit ka konstatuar se Inspektorati shtetëror i Arsimit funksionon në mënyrë selektive dhe jo profesionale. Një konstatim i tillë vjen pasi zyra e Avokatit të Popullit javë më parë hapi hetim për punën e Inspektoratit të Arsimit të cilët nën arsyetimin se nuk kanë pasur prova, morën vendim që të mos sanksionojnë drejtorët e shkollave të mesme të Prilepit, Ohrit dhe Manastirit, nxënësit e të cilëve gjatë orarit shkollor kishin lënë mësimin për të marrë pjesë në protestën e iniciativës “ Për Maqedoni të Përbashkët” .
Gjendja faktike që ne e konstatuam rezulton të jetë se ajo ka ndodh gjatë procesit mësimor i cili ka qenë I ndërprerë, dhe nga drejtori fëmijët janë nxitur tu bashkëngjiten protestave. Më 29 mars ne iu drejtuam ministrit të Arsimit dhe informuam shqetësimin tonë se Inspektorati në mënyrë selektive, jo profesionale dhe në mënyrë të fshehtë kryen punën e saj dhe me këtë veprim ai pengon punën e Avokatit të Popullit. Prandaj kërkuam nga ministria e Arsimit që në afat prej 10 ditësh të ndërmerr masa për mënyrën e sjelljes së Inspektoratit. Por kaluan 10 ditë dhe nuk kemi asgjë, prandaj bëmë urgjencë deri te kjo ministri e cila e obligon atë të merr masa – thuhet nga zyra e Avokatit të Popullit.
Nga ministria e Arsimit thonë se nuk kanë kompetenca që të çojnë në rishqyrtim rastin pasi Inspektorati funksionon në mënyrë të pavarur.
Inspektorati është një institucion në vete me autonomi në vete dhe ato faktikisht vetëm i raportojnë ministrit për punën që bëjnë. Unë kam pasur disa herë takime me drejtoreshën e Inspektoratit dhe i kam kërkuar asaj që të jenë më objektiv në gjykim, sepse këtu nuk bëhet fjalë për njërën apo tjetrën parti politike. Kam kërkuar nga ajo që Inspektorët të cilët do I dërgojë të jenë më objektiv dhe të mos marrin kahe politike – deklaroi Pishtar Lutfiu, ministër i Arsimit.
Alsat edhe sot tentoi që të bjerr në kontakt me drejtoreshën e Inspektoratit shtetëror të Arsimit Nadica Nikoloska për të komentuar konstatimet e Avokatit të Popullit dhe për të parë nëse vendimi do të shqyrtohet përsëri, por që atje nuk pranuan të shpjegohen.
Vjollca Aliti