Subjektet politike të cilat sot më së shumti kritikojnë që po vonohet blerja dhe shpërndarja e librave për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, në fakt më së shumti i vononin këto procese kur në të kaluarën udhëheqnin me Ministrinë e arsimit dhe shkencës. Është mirë t’ua freskojmë memorjen që pikërisht para 10 viteve, kur kuadrot e tyre udhëheqnin me ministrinë, marëveshjet për blerje të librave u nënshkruanin dy-tre muaj pas fillimit të vitit shkollor.
Konkretisht, marëveshjet me shtëpitë botuese për blerje të librave për arsimin fillor dhe të mesëm për vitin 2013-2014 janë nënshkruar më 29, 30 dhe 31 tetor, si dhe më 4 nëntor 2013. Që do të thotë libra nuk ka pasur gjatë gjithë gjysëmvjetorit të parë të vitit shkollor përkatës. Për më tepër, edhe kur janë blerë librat, të njejtat nuk janë shpërndarë në disa shkolla të caktuara me arsyetimin se gjenden në zona të largëta ku rruga është e “keqe”, për të cilin fakt ekzistojnë edhe reagime të shkruara nga udhëheqësit e atëhershëm të shkollave.


