Në ditën e të drejtave të punëtorëve, kryeministri Zaev premton mbështetje me 30% rritje të pagave bruto të punëtorëve në veprimtaritë intensive të punës. Kjo masë u dakordua në takimin e Këshillit Socio-ekonomik dhe ka si qëllim të rrisë standardin jetësor, thonë nga qeveria.
“Bëhet fjalë për masë me anë të së cilës shteti do të sigurojë përkrahje të drejtpërdrejtë financiare prej 30% nga rritja e pagës bruto të punëtorëve në veprimtaritë intensive të punës. Masa do të dedikohet për pagesë të pagave të rritura deri në 18.000 denarë. Rreth 15. 000 kompani dhe rreth 50.000 të punësuar i plotësojnë kushtet për shfrytëzimin e kësaj mase”,– tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Me këtë masë, për punëtorin i cili ka pasur rritje të rrogës gjatë tremujorit të fundit të vitit 2017, shteti do të ndihmojë me 30% nga rritja e pagës bruto. Masa do të dedikohet për punëtorë të cilët kanë pagë mesatare neto deri në 18.000 denarë gjatë tre muajve të fundit të vitit 2017”,– tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Për ministren e punës dhe politikës sociale, partneriteti i vërtetë vendoset vetëm me dialog social.
“Pa dialog social me të vërtetë në shtetin tonë është e pamundur që të flasim për përparim të të drejtave të punëtorëve. Mu për këtë ne si qeveri e theksojmë se e respektojmë dialogun socio-ekonomik, i respektojmë punëtorët dhe sindikatat, por i respektojmë edhe punëdhënësit”,-theksoi ministrja për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska.
Masa u mbështet edhe nga Lidhja e Sindikatave dhe punëdhënësit. Ata shpresojnë gjithsesi që e njëjta të zbatohet deri në fund.
“Kemi pritur që rroga të rritet në 12.000, do të presim që të rritet deri në 18.000 dhe sigurisht se do të ketë edhe hap të tretë ku do të përfshihen të gjithë punëtorët”,– theksoi Darko Dimovski nga LSM.
“Me këtë masë shpresojmë që t’u ndihmojmë atyre që më së shumti kanë nevojë. Atyre kompanive të cilat shumë shpejt përparojnë, por shumë shpejt mund edhe të dështojnë dhe shpresoj që masa do të aplikohet deri në fund”,- theksoi Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.
Paratë për rritjes e pagave do të sigurohen nga buxheti i masës për rritje të pagës minimale të cilën qeveria e ka lajmëruar para disa muajve. Nga qeveria thonë se kjo masë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019.
ERSAN PAJAZITI