Ambientalistë australianë kanë ngritur alarmin për ndotjen e rëndë në lumin Vjosë, ku, sipas tyre, kompania shtetërore “Albpetrol” po derdh mbetje hidrokarbure, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore.
Në një video të publikuar nga aktivistët, dallohet qartë ndotja masive në shtratin e lumit, ku, siç thuhet, nuk ka më ujë të pastër, por vetëm karburant dhe baltë të dendur.
“10 centimetra minimumi baltë, më tej është edhe më e thellë, por nuk guxoj të shkoj sepse kam frikë se nuk dal dot më. Nuk ka më ujë, është vetëm karburant. Ka kafshë të ngordhura që duket se janë përpjekur të notojnë. Është shumë ngjitëse dhe e nxehtë,” dëgjohet të thotë njëri prej ambientalistëve në pamjet e regjistruara.
Aktivistët mjedisorë kanë ngritur gjithashtu shqetësimin për mungesën e reagimit nga ana e autoriteteve shqiptare, duke theksuar se problemi është evidentuar që prej shtatë vitesh, ndërsa në vend që të marrë zgjidhje, situata është përkeqësuar ndjeshëm.
Ata u bëjnë thirrje institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë për të ndaluar dëmet e mëtejshme në një prej lumenjve më të rëndësishëm dhe të egër të Evropës, i cili është shpallur park kombëtar për vlerat e tij natyrore.