Shoqëria në Maqedoni vazhdon të jetë paragjykuese ndaj martesave mes dy personave që u takojnë etniteteve të ndryshme, duke i vendosur të rinjtë në një situatë aspak të rehatshme dhe para një pyetje, përgjigja e së cilës nuk është e lehtë: Të kaloj jetën me atë që dua dhe shoqëria të më shoh si tradhëtar, apo të sakrifikoj lumturinë për tekat e shoqërisë në mënyrë që e njëjta të më pranojë?
Stereotipet e tilla kanë rrënjë të kahmotshme tek Ballkanasit.
Pavarësisht këtyre stereotipeve, një nga çiftet që ka vendosur të sfidojë mentalitetin shoqëror në Maqedoni, që nuk zgjedh nëse dashurinë e shprehin me “ Të dua” apo “ Te sakam”, është Nora Shaqiri e cila lidhi martesë rreth një vit më parë me Marko Markoviçin.
“ Në Maqedoni ende jetojmë njëti krah tjetrit dhe jo njëri me tjetrin.Për fat të ke ka paragjykime të tilla tek ne. Mqedonia është një vend qytetarët e të cilës janë shumë pak të informuar, nuk e dinë se çfarë do të thotë dy palë, refuzojnë të mësojnë diçka të re, refuzojnë të njohin. Paragjykime ka pasur edhe në rastin tonë, por bashkëshorti im dhe unë as nuk i marrim parasyshë paragjykime të tilla ”- thotë Nora Shaqiri.
Gjeneratat më të reja dhe më të moshuara të shoqërisë të cilës i referohemi më sipër, nuk ndajnë të njëjtin mendim rreth këtyre pranimeve dhe përjashtimeve të çifteve “ndryshe”.
” Mendoj se përmes lidhjes në martesë të dy personave që i takojnë etniteteve të ndryshme, është e vetmja mënyrë për të larguar barrierat mes etniteteve, qofshin ato në aspektin fetar apo nacional, problematik e theksua në Ballkan. Vetëm dashuria mund të na ndryshojë dhe të na shpëtojë nga ky mentalitet paragjykues në të cilin kemi ngecur” – thotë Lejla, qytetare nga Shkupi.
“Nuk e di unë si do të veproja, personalisht nuk jam ndodhur në situatë të tillë, por absolutisht nuk jam kundër kur mes dy personave që kurorëzohen ka dashuri” – Fatbardha, qytetare e Tetovës.
“Nuk mendoj se shoqëria duhet të jetë paragjykuese në situata të tilla, ndienjat nuk mund të planifikohen” – tha Dejani nga qyteti i Shkupit.
Megjithatë gjenerata më e moshuar duket se nuk pajtohet plotësisht me shprehjen “dashuria nuk njeh dallime”.
” Mendoj se nuk është e nevojshme, gjërat komplikohen më pas me lindjen e fëmijëve. Po në rregull prap se prap dashuria më me rëndësi”- Afrimi nga qyteti i Tetovës.
“Nuk mendoj se është e nevojshme të realizohen martesa të tilla, por të rinjët nuk pyesin tani” -thotë Vasko nga qyteti i Shkupit.
Dallimi mes brezave, atyre më të moshuarve dhe më të rinjëve është shumë minimal, pasi personat që vendosin të hyjnë në ujërat bashkëshortore me “tjetrin” etnik dhe religioz nuk shihen me sy të mirë, madje konsiderohen edhe si tradhtarë të kombit e fesë, të kauzës dhe thyes të tabuve, thotë sociologu, Ali Pajaziti.
“Arsyeja qëndron në elementin religjioz (ka gjasa që feja ime të eliminohet nga ajo e tjetrit, në veçanti te pasardhësit, fëmijët), te teksti fetar që ndalon martesën e femrës myslimane me një të fesë tjetër, te përvoja e distancimit sllav nga shqiptarët, trajtimit të këtyre të fundit nga maqedonasit gjatë kohës së komunizmit, përvoja e hidhur e etniteteve të tjera nga martesat e përziera, në veçanti te boshnjakët, që në vitet 1990 ia pësuan gjatë luftës kur ndodhi një galimatias i paparë, kur kishte probleme mes bashkëshortëve e fëmijëve të edukuar në mënyra të ndryshme brenda familjes së njëjtë. Pra, bëhet fjalë për një psikologji të forcuar për tjetrin që mbizotëron këtu në trojet ballkanike, ku të dyja palët kanë stereotipe e klishe për tjetrin” – thotë sociologu Ali Pajaziti.
Shoqëria në Maqedoni e ka të vështirë të përballet me të kaluarën e saj, me qëllim që të ndryshojë të ardhmen.
Gjatë vitit 2012 janë regjistruar 146 martesa mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që është rreth 1% nga gjithsej 13.991 kurorëzime të bëra. Prej 146 kurorëzimeve, 132 janë shënuar mes meshkujve maqedonas dhe femrave shqiptare, kurse vetëm 14 femra maqedonase janë martuar me meshkuj shqiptarë.
PUNUAR NË KUADËR TË TRAJNIMIT “ AFIRMIMI I NDIKIMIT POZITIV NË PROCESIN E BALLAFAQIMIT ME TË KALUARËN NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË”- ORGANIZUAR NGA INSTITUTI PËR MBËSHTETJEN E MEDIAVE- SHKUP DHE SHOQATA PËR ZHVILLIM TË DIALOGUT NDËRETNIK- “ETNITETI”