Nën slloganin “Stop gjenocidit – Marshojmë për Palestinën” sot në Shkup u mbajt marsh protestues në shenjë solidariteti me popullin palestinez dhe dënim të krimeve të luftës dhe rrethimit të Gazës. Qindra qytetarë u mblodhën në Shkup para përmendores “Simfonia e paqes”, prej nga marshi u nis drejt ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Organizatorët e marshit nga Iniciativa “Të gjithë për Palestinën” theksuan se ngjarja është pjesë e lëvizjes globale të rezistencës dhe solidaritetit, e cila ka për qëllim ta ndërpresë heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të ushtrojë presion ndaj qeverive që të ndërmarrin hapa konkret kundër okupimit dhe gjenocidit izraelit.
Në një fjalim emotiv, një aktiviste është rikthyer në fëmijërinë e saj në ish-Jugosllavi: “U rrita me filma me partizanë dhe hollokaustin dhe besonim se një e keqe e tillë asnjëherë më nuk do të përsëritet. Ndërsa sot, 40 vite më vonë, jetoj në një kohë kur një Hollokaust i ri po zhvillohet para syve tanë, çdo ditë, si shou real. Ky moment është test për njerëzimin tonë. Vallë me të vërtetë jemi njerëz nëse heshtim derisa fëmijë vdesin?”.
Organizatorët ashpër e kritikuan politikën e jashtme të Maqedonisë, e cila edhe krahas shumicës në bashkësinë ndërkombëtare, ende nuk e njej shtetin Palestina.
Marshi ka përfunduar para ndërtesës së Qeverisë me thirrje për njohje të Palestinës dhe aksion konkret politik. Organizatorët paralajmëruan se ky marsh është pjesë e fushatës më të gjerë për presion politik dhe mobilizim publik.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit. Bombardimet izraelite gjatë 23 muajve të fundit ndërkohë i kanë vrarë mbi 65.000 palestinezë në Gazë, e kanë shkatërruar pjesë të mëdha të vendit, e kanë zhvendosur rreth 90 përqind të popullsisë dhe kanë shkaktuar krizë humanitare katastrofike. Ekspertët thonë se Qyteti i Gazës – qyteti më i madh në vend – po përjeton zi buke.
Si kujtesë, në qershor, Maqedonia ka abstenuar vazhdimisht armëpushimin në Gaza. Në prill 2025, RMV votoi kundër, në shkurt 2025, RMV abstenoi,në shtator të viti 2024 abstenoi, ndërsa edhe në tetor 2023 votoi e përmbajtur. (Portalb.mk)