Marrëveshje për bashkëpunim nënshkruan sot Fondi për sigurim pensional dhe invalidor i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Departamenti për pensione pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Kosovës. Marrëveshja ka për qëllim të sigurojë ndihmë dhe mbështetje gjatë këmbimit elektronik të të dhënave në sferën e sigurimit pensional dhe invaldor pa ndërprerje për shfrytëzuesit e pensionit në këto dy vende.
“Marrëveshja për bashkëpunim do të mundësojë këmbim elektronik të të dhënave në sferën e sigurimit pensional dhe invalidor midis Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe Departamentit për pensione pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Kosovës dhe do të kontribuojë për lehtësimin e realizimit dhe shfrytëzimit të të drejtave nga sigurimi pensional dhe invaldor, me qëllim të uljes së shpenzimeve administrative, parandalimin e pagesave të paligjshme të pensioneve dhe të ardhurave tjera nga sfera e sigurimit pensiona dhe invalidor, si dhe kontroll të të dhënave të cilat janë lëndë e këmbimit”, kumtuan nga Fondi për sigurim pensional dhe invalidor.
Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i Departamentit për pensione pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Kosovës, Bahri Xhaferi dhe drejtori i Fondit për Sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut, Shaip Zeneli.


