LSDM-ja përmes një konference të shtypit ka bërë thirrje që qytetarët t’i thonë “PO” referendumit, duke pohuar se marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit është përkrahur nga e gjithë bota demokratike. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja ka akuzuar qeverinë për terror politik duke theksuar se gjyqësori është në shërbim të pushtetit.
Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja, përmes politikës së jashtme të suksesshme, përmes ndërtimit të miqësive, aleancave, reformave dhe zgjidhjes së problemeve, brenda një viti e ktheu Maqedoninë në rrugën e vërtetë euro-atlantike – ka deklaruar deputeti socialdemokrat Kostadin Kostadinov. Sipas tij, nga një vend i izoluar dhe i robëruar, siç thotë, sot Maqedonia është shembull për zgjidhjen e çështjeve të hapura në interes të qytetarëve.
“Është arritur marrëveshja historike me të cilën zgjidhet kontesti shumëvjeçar që e çonte vendin teposhtë. Maqedonia shkon përpara, është siguruar dhe përforcuar identiteti maqedonas, janë hapur dyert e NATO-s dhe BE-së. Sukseset dhe liderizmi janë njohur nga e gjithë bota demokratike. Para nesh është mundësia historike. Qytetarët në referendum do ta kenë fjalën e fundit. Ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Në referendum me vendosmëri të themi PO për identitet të garantuar maqedonas, me vendosmëri të themi PO për hyrje në NATO dhe BE, të themi PO për ardhmërinë e Maqedonisë.
Nga VMRO-DPMNE-ja përmes një komunikate kanë theksuar se Kryeministri Zaev me marrëveshjen për emrin dëshiron ta mbulojë terrorin politik. Nga kjo parti kanë reaguar ndaj vendimit të Gjykatës penale.
“Maqedonia është vendi ku Kryeministri derisa pranon dhe dakordon ndryshimin e emrit dhe identitetit, deputetë të opozitës akuzohen për terrorizëm, artistë të njohur, aktorë, paraqiten si terroristë. Gjyqësori edhe njëherë tregoi se është vegël e pushtetit. Vendimi i Këshillit Penal pranë Gjykatës Penale për pranimin e aktakuzës, nuk është e bazuar në argumente juridike, por me detyrim politik”.
Ndryshe, Këshilli i Gjykatës Penale ka pranuar akuzën për dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë, duke dhënë dritën e gjelbër që 30 personat e akuzuar për këtë rast, të gjykohen për veprën “terrorizëm dhe kërcënim i rendit kushtetues”. Me këtë, ngjarjet e dhunshme të 27 prillit pritet të marrin epilog gjyqësor. /Art Channel/