Viti 2023 do të jetë një vit i rëndësishëm për përfundimin e skriningut, për reformat e nevojshme për t’iu afruar standardeve evropiane, por edhe për unifikimin e të gjithë aktorëve të shoqërisë për të përmbushur detyrimin për ndryshime kushtetuese, theksoi kryenegociatori me BE-në, Mariçiq, para deputetëve në Komisionin për Çështje Evropiane. Sipas tij, nga ne varet nëse pas nëntorit negociatat me BE-në do të vazhdojnë duke hapur kapituj.
“Nga ne varet nëse viti 2023 do të jetë një vit për t’u kujtuar në perspektivën tonë të qartë dhe të sigurt evropiane apo një vit në të cilin do të përjetojmë një tjetër bllokadë, një bllokadë të re këtë herë të shkaktuar nga ne në vend.”, – deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
Ademi: Rruga evropiane ka obligime për të përmbushur
BDI pret që edhe opozita të përfshihet në negociata me miratimin e ligjeve për reforma dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore, që nënkupton përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
“Nuk mund të themi se kemi zgjedhur rrugën evropiane e të refuzojmë t’i përmbushim detyrat tona siç janë ndryshimet kushtetuese me qëllim të futjes dhe të bashkësive të tjera etnike në aktin më të lartë juridik në vendin tonë edhe komunitetin bullgar. BE kërkon nga ne që të ndërtojmë mirëbesim me fqinjët tanë dhe në këtë kontekst është i rëndësishëm bashkëpunimi ynë me Bullgarinë për çështje me interes të përbashkët.”, – theksoi kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.
VMRO-DPMNE: Përse merrni përgjegjësi pa na konsultuar
Deputetët e partive më të mëdha me qëndrime të ndryshme për ndryshimet kushtetuese. LSDM konsideron se përgjegjësinë për përmbushjen e këtij kushti e kanë të gjithë 120 deputetët, VMRO-DPMNE se është obligim i Qeverisë, sepse nuk janë konsultuar me marrjen e obligimit.
“Në lidhje me atë se kush e mori përgjegjësinë dhe nga çka varen bisedimet, sigurisht do të duhet kohë më e gjatë që qeveria të sqarojë se përse pa konsultimin e gjitha subjekteve politike ka marrë një përgjegjësi që nuk mund ta realizojë.”, – thuhet nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Procesit drejt BE-së, i nevojiten 120 deputetë
“Kur them 120 deputet, them që procesit i nevojiten 120 deputet dhe nuk e kam fjalën për këta. Çdo herë për proceset e BE-së duhen 120 deputetë.”, – thuhet nga LSDM.
Ndryshimet kushtetuese mund t’i shtyjmë, por çfarë përfiton shteti me këtë, vetëm do të humbim kohë dhe në fund do të duhet të respektojmë, u tha në debatin e Komisionit për Çështje Evropiane.