nstituti për Media dhe Analitikë IMA Shkup, për platformën #Depolarizirajse, e cila është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, stabile, inkluzive: kontribut i shoqërisë civile”, bisedoi me zëvendëskryetarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq.
Në fokusin e intervistës janë aktivitetet që zbatojnë institucionet në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në pjesën e parë të bisedës, Mariçiq iu përgjigj pyetjeve lidhur me dezinformatat rreth fillimit të negociatave dhe skriningut.
Mariçiq: Sa më shumë lajmëtarë të ketë procesi i integrimit evropian, aq më mirë për qytetarët dhe aq më pak hapësirë për dezinformatat
IMA: Z.Mariçiq, ju falënderojmë që iu përgjigjët ftesës për këtë intervistë. Fillimisht, dëshirojmë t’ju pyesim – Instituti për Media dhe Analitikë IMA veçmë ka ekspozuar disa herë dezinformata në opinion se negociatat me Bashkimin Evropian nuk kanë filluar fare dhe se negociatat do të fillojnë nëse ndryshohet kushtetuta. Kemi vënë re se dezinformatat e tilla nuk vijnë vetëm nga përfaqësues të opozitës apo partive opozitare, por edhe nga analistë politikë dhe se janë të dukshme dhe të theksuara në rrjetet sociale dhe mediat onlajn. Çfarë masash po merr qeveria për të ekspozuar dezinformatat e tilla, të cilat nuk e cenojnë vetëm besimin te qeveria, në institucionet, por edhe në Bashkimin Evropian?
Mariçiq: Vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është kompleks, afatgjatë dhe me shumë detaje. Kjo e bën atë të ndjeshëm ndaj dezinformatave. Maqedonia e Veriut nuk është vendi i parë që po përballet me këtë luftë kundër dezinformimit gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe në vende të tjera kishte edhe dezinformata, edhe paragjykime dhe gjysmëinformacione, të cilat lidheshin para së gjithash me atë se si do të ndryshojë jeta e përditshme me hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian.
Fatkeqësisht, ne kemi të bëjmë me çështje edhe më të vështira, çështje të nxehta, të cilat lidhen me identitetin dhe me tema që lidhen me kushtetutën tonë, sistemin tonë juridik dhe mënyrën e funksionimit të shtetit. Kjo është arsyeja se pse ai është kaq i ndjeshëm ndaj dezinformatave, prandaj është aq e vështirë të luftohen ato. Ne si qeveri, para së gjithash, që nga fillimi, sepse ishte pyetja gjatë gjithë kohës: “Cila është data?”, “Ku është data?”, “Cila është data e fillimit të negociatave?” – ajo datë është 19 korrik 2022 dhe, këtë e përsërisim në të gjitha rastet. E mira është se Bashkimi Evropian e ka kuptuar si domosdoshmëri, dhe si diçka që duhet ta bëjë vazhdimisht—ta përsërisë që negociatat kanë filluar.
Ne jemi duke e bërë skriningun sa më publik që është e mundshme, madje morëm një grup gazetarësh, rreth pesëmbëdhjetë gazetarë nga mediat tona në Bruksel për të ndjekur skriningun, të shohin se si rrjedh, dhe të shohin vetë se negociatat vërtetë kanë filluar. Ne do të vazhdojmë me atë praktikë. Besojmë se përveç përsëritjes së përditshme dhe argumentimit të vazhdueshëm që kanë nisur negociatat, nga qeveria jonë, por edhe nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare, po ashtu është i domosdoshëm edukimi i organizatave të shoqërisë civile, si dhe edukimi i mediave për procesin e anëtarësimit në BE. Sepse, siç thashë, ka shumë afate, shumë data, shumë procedura, shumë dokumente, duhet shumë kohë dhe ky edukim është i nevojshëm.
Ne filluam me edukimin, siç thashë, me një grup prej rreth pesëmbëdhjetë gazetarësh, për të cilët, krahas vizitës në Bruksel, përgatitëm paraprakisht një program trajnimi që të kuptojnë më mirë sistemin politik dhe ekonomik të Bashkimit Evropian, dhe të jenë në gjendje t’i informojnë më mirë qytetarët. Sa më shumë lajmëtarë të ketë procesi i integrimit evropian, aq më mirë për qytetarët dhe aq më pak hapësirë për dezinformata, manipulime dhe spekulime.
Mariçiq: Skriningu ka përfunduar për dy klasterët kyç, plani ynë është të jemi gati për anëtarësim në BE deri në fund të kësaj dekade
IMA: Madje, në opinion ka pasur pretendime se nuk kemi filluar as me skriningun. Deri ku jemi me të dhe a mendoni se publiku është i informuar mjaftueshëm për thelbin, rëndësinë dhe detajet e këtij procesi, i cili, siç theksuat, është jashtëzakonisht i rëndësishëm?
Mariçiq: Shikoni, ka aq shumë detaje, saqë përveçse nëse bëhet transmetimi i drejtpërdrejtë në të gjitha televizionet, publiku nuk mund të informohet plotësisht. Në pjesën e skriningut shpjegues e vëmë në dispozicion transmetimin e drejtpërdrejtë në faqen e Sekretariatit për Çështje Evropiane, e bëjmë transmetim edhe për institucionet, për punonjësit e institucioneve, për organizatat e shoqërisë civile, për mediat dhe për të gjithë të interesuarit. Nga skriningu bilateral, ku raportojmë dhe sqarojmë se deri ku jemi dhe për sa kohë do të jemi gati të pranojmë detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nga kjo pjesë, me kërkesë të Komisionit Evropian, ende nuk është e në dispozicion për opinionin publik. Por mendoj se do të vijë faza kur do të dalin raportet nga skriningu, kur çfarëdo që do të duhet, do të jetë në dispozicion të publikut.
Skriningu ka përfunduar për dy klasterët kyç: për klasterin e vlerave themelore, i cili përfshin drejtësinë, gjyqësorin, të drejtat themelore, të drejtat e njeriut, politikën fiskale, kontrollin financiar, prokurimin publik, d.m.th. tema të rëndësishme, kriteret ekonomike, lirinë e medias, d.m.th. temat thelbësore, edhe nga sistemi politik, edhe nga sistemi gjyqësor dhe nga sistemi juridik, janë po në atë grup. Ne e përfunduam atë klaster me të dy skriningjet, edhe me atë bilateral edhe me atë shpjegues. Klasteri i dytë – tregu i brendshëm, i cili është gjithashtu thelbësor për funksionimin e tregut të brendshëm të BE-së dhe për hapjen e tregut tonë ndaj tregut të BE-së, gjithashtu është përfunduar në të dy fazat – shpjeguese dhe bilaterale.
Dhe tani jemi në klasterin e tretë. Klasteri i tretë i referohet konkurrencës dhe rritjes inkluzive. Dhe, në të njëjtën kohë, e hapëm skriningun për klasterin e katërt, që është agjenda e gjelbër dhe politika e transportit. Pra, ne po hyjmë, ne jemi pothuajse në gjysmë të procesit të skriningut. Filloi në mesin e shtatorit, vazhdon ende dhe duhet të përfundojë diku në nëntor. Si rezultat i atij skriningu, ku na prezantohet atë që e ka bërë BE-ja si legjislacion në vitet e kaluara, por edhe në faza të caktuara, ne paraqesim dhe marrim pyetje se si do t’i zbatonim ligjet evropiane në vendin tonë, me çfarë shpejtësie, dhe me sa efikasitet – cili është kapaciteti i institucioneve tona, të gjitha ato çështje që janë të rëndësishme për ne që të funksionojmë si shtet anëtar i BE-së.
Pas përfundimit të të gjithë kapitujve në të gjithë klasterët, do të marrim një raport për secilin klaster. Bazuar në atë raport, do të na duhet të përgatisim dokumente mbi reformat. Le të themi, në klasterin e parë janë udhërrëfyesit që përmenden, e që duhet të përshkruajnë detyrimet tona ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më pas, me hapjen e tyre, ne do të duhet të përmbushim detyrat, dhe të vlerësohet përparimi. Dhe, në një kornizë kohore të caktuar, të cilën do ta caktojmë ne vetë, kjo do të thotë se Bashkimi Evropian nuk do të na bëjë presion që të bëjmë diçka brenda një periudhe të caktuar nëse nuk jemi gati dhe nuk e pranojmë atë si detyrim. Pra, brenda afatit që do të vendosim dhe është në interesin tonë që të jetë sa më shpejt, ne do t’i përmbushim ato detyrime. Plani ynë është që deri në fund të kësaj dekade të jemi gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Intervistoi: Petrit Saraçini (28.03.2023)