Ismail SINANI
Nëse ish kryeministri Nikolla Gruevski quhet sot kriminel, atëherë çfarë mund të jetë aleati i tij shqiptar?! A mund të jetë ai i ndershëm? A ka gjasa ai të mos ketë bërë krime? A ka gjasa ai të ketë menduar vetëm për popull apo… apo ndoshta firma e tij gjendet gjithkund ku është vendosur firma e “shefit”?! Megjithatë, kriminelët nuk kanë as etni, as parti, e as fe. Dhe, krimi nuk mund të luftohet me kriminelë.
Në gjithë këtë situatë, vendi gjendet para një kaosi… politik. Qasja e dy krerëve politikë maqedonas, si e Gruevskit, ashtu edhe Zaevit, më shumë i ngjanë asaj të axhamisë sesa të burrështetasi. Siç duket, mungesa e traditës etatiste po i hakmerret keq këtij vendi, i cili – shikuar nga këndvështrimi historik – është krejt taze pa përvojë dhe, ç’është më e keqja, edhe pa themele të fuqishme.
Kritika meriton edhe tabori tjetër – ai shqiptar, qoftë nomenklatura, qoftë edhe populli. Fundja një popull që nuk e mban mend dhe nuk mëson nga e kaluara, nuk e meriton lirinë. A vlen kjo thënie për shqiptarët? Pjesërisht po e pjesërisht jo. Pjesërisht vlen nga shkaku se si duket e kemi harruar të kaluarën 72-vjeçare. Mbledhja e ASNOM-it (Këshilli Antifashist…) në të cilën u vunë themelet e “Maqedonisë së re”, të bekuar nga Titoja, kishte folklorin e njëjtë me atë të Zaevit. Do të vriten kriminelët, do të ketë barazi për të gjithë, maqedonasit dhe shqiptarët janë vëllezër…, e vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore të gjithë ata partizanë shqiptarë, që i kishin besuar këtij premtimi, e gjetën veten ose nën dhè ose në Goli Otok. Natyrisht kishte dy- tre që shpëtuan, por ata më shumë ishin shqipfolës sesa shqiptarë.
Megjithatë, thënia e mësipërme pjesërisht nuk vlen, për shkak të vet faktorit politik shqiptar, i cili i gënjeu më shumë se dy dekada. Dhe, sot, një pjesë edhe me të drejtë thonë se kur edhe “krahu i luftës” na tradhtoi, shpëtimin do ta gjejmë diku tjetër.
Çfarë bën Zaevi e çfarë Gruevski? I pari aktron shqiptarin, por u thotë se të drejtat e juaja varen nga ajo që unë dëshiroj t’ua jap. Sipas tij, gjuha shqipe nuk mund të jetë zyrtare sa edhe maqedonishtja. Ndërsa, shqipja nuk mund të jetë e barabartë me maqedonishten as në uniforma dhe bankënota, pasi që nuk e lejuaka Kushtetuta. Zaevi shkon një hap më tej: shqiptarëve u thotë se dëshiron ta luftojë krimin, që – sipas tij – është portretizuar në figurën e drejtuesve të VMRO DPMNE-së. E si? Përmes shqiptarëve. Cilët shqiptarë? Ata që deri dje ishin bashkëqeveritarë me Gruevskin. Cila është logjika? S’ka logjikë. Çfarë nënkupton kjo? Kjo i bie se te maqedonasit duhet të pastrohet terreni politik. E te shqiptarët? Atje duhet të mbisundojë krimi nga kriminelët e vjetër. Pse? Për shkak të traditës shumëvjeçare, e cila thotë se politikani shqiptar patjetër duhet të jetë i kapur.
E Gruevski… Ai deri në skajshmëri e ka rritur dozën e nacionalizmit, madje “protestuesit e tij” tashmë duken si fashistë. Pse e bën këtë? Për të shpëtuar nga burgu dhe për të mbetur në pushtet. A do t’ia dalë? Koha do të dëshmojë? A ka të drejtë? Absolutisht jo. Por, a e shfrytëzon rastin? Gjithsesi se po. Kush i ka fajet? Zaevi. Pse? Për shkak se me biçikleta rozë nuk bëhet revolucion, ndërsa Zaevi plot dy vjet tallej me njerëzit, duke bërë “protesta paqësore”.
Ku gjendet në këtë mes faktori ndërkombëtar? Ai mbështet qeverinë “Zaev”. Pse? Për shkak të qasjes anti-perëndimore të Gruevskit dhe frikës nga boshllëku që mund të krijohet pas valës së re të refugjatëve sirianë. A do t’ia dalë në qëllimin e vet? Ai shpreson se do t’ia dalë. Realiteti? Krejt ndryshe. Gruevski deri më tani as që jep shenja të luhatjes.
Po Deklarata e Përbashkët e Partive Politike Shqiptare? Edhe pse më shumë të meta, ajo paraqet bazë të mirë për demokratizimin e Maqedonisë. A do të realizohet (nëse themelohet qeveria “Zaev”)? Jo. Pse? Për shkak se të eturit për pushtet tashmë kanë filluar t’i imagjinojnë benefitet….
Zgjidhja? Askush nuk mund të tregojë saktë. Realistët thonë se duhet qeveri e zgjeruar. A mund të ndodhë kjo? Vështirë. Po tani? Ndoshta ndonjë emisar me peshë i Shteteve të Bashkuara mund t’i japë udhë procesit. A mund të vijë ai? Gjasat janë të vogla. Po, pas kësaj? Ndoshta matja e serishme e forcave në vjeshtë… nëse mbetet kohë për këtë.