Abil Baush
Kaloi një vit që nga formimi i qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata hynë në Qeveri në mënyrë triumfale me një manifest ekonomik që premtonte një “renesancë të ekonomisë maqedonase”. U paralajmërua rritje e PBB-së prej 5%, ringjallje e industrisë, ulje e borxhit publik, mbështetje për prodhimin vendor dhe, sigurisht, një “jetë më të mirë për të gjithë”. Nga foltoret dëgjoheshin terma si “bum ekonomik”, “perspektivë e re maqedonase” dhe “shpenzim racional i parave publike”.
Por vetëm një vit më vonë, kur t’i heqim parullat politike dhe t’i hapim tabelat me të dhëna reale, duket se i vetmi “bum” që përjetuam ishte ai i masave populiste. Rritja ekonomike jo vetëm që nuk është 5%, por me vështirësi kalon 2%, inflacioni vazhdon të ndjekë në heshtje çdo shportë ushqimore, ndërsa investimet kapitale mbeten vetëm rreshta të bukur në letër.
Në vend të reformave strukturore, morëm “paketa festive”, subvencione të njëhershme dhe fushata me para nga kreditë hungareze, të cilat po shpenzohen me shpejtësinë e dritës por pa dritë në fund të tunelit. Qytetarët morën një cirk me masa ekonomike, por pa një shfaqje të vërtetë. Thuajse çdo konferencë për shtyp ekonomike duket si premiera e një serie të re populiste me premtimet në rolin kryesor dhe realizimin në rolin dytësor. Dhe tani, kur i përmbledhim 365 ditët e para të qeverisjes, shtrohet pyetja: a ishte kjo një vit i stabilizimit ekonomik apo vetëm një vit kozmetik, ku u vendosën fasha mbi një sistem që po gjakoset nga të gjitha anët? Nëse ky është modeli i ri ekonomik, atëherë nuk na duhen reforma por një mrekulli.
Edhe pse qeveria njoftoi se viti 2025 do të ishte vit i kthesës ekonomike, realiteti është dukshëm më i zymtë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave dhe Bankës Botërore, rritja e PBB-së në tremujorin e parë është vetëm 1.4%, me projeksion vjetor prej 2.3%, shumë larg nivelit të premtuar prej 5%. Shtytësi kryesor i rritjes mbetet konsumi privat, ndërsa prodhimi industrial tregon rënie të vazhdueshme prej 3.1%, gjë që tregon për mungesë të një politike industriale të qartë dhe paaftësi për të tërhequr investime të reja në sektorë produktivë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte janë ulur për 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si pasojë e mungesës së sigurisë juridike, ngadalësisë administrative dhe mungesës së një strategjie funksionale për inovacion dhe zhvillim teknologjik. Për më tepër, vendi arrin të absorbojë më pak se 30% të fondeve të disponueshme përmes fondeve të BE-së një tregues i papërgatitjes institucionale dhe bashkëpunimit të dobët ndërsektorial.
Në sferën e financave publike, buxheti për vitin 2025 është projektuar me një deficit prej 4.9% të PBB-së, që nënkupton një borxh të ri prej mbi 540 milionë euro. Mjetet janë orientuar kryesisht drejt shpenzimeve konsumuese pensione, subvencione për energji elektrike dhe ushqim, dhe rritje të pagave në administratën publike ndërsa investimet kapitale, të cilat janë kyçe për rritje ekonomike afatgjatë, kanë realizim vetëm 28% në gjysmën e parë të vitit. Ky disbalancë midis shpenzimeve korrente dhe atyre zhvillimore reflekton dobësi në disiplinën buxhetore dhe strukturën e politikës fiskale. Për më tepër, përmes përdorimit të kredisë hungareze prej 250 milionë euro, mjetet janë alokuar nëpër komuna pa analiza ekonomike, kritere të qarta apo procedura transparente gjë që tregon për qasje klienteliste dhe shpërndarje partiake të resurseve publike, në vend të një strategjie zhvillimore.
Në planin social, masat qeveritare tregojnë efekt të kufizuar në zbutjen e goditjes inflacionare ndaj standardit jetësor. Edhe pse inflacioni energjetik ka rënë disi, çmimet e produkteve ushqimore janë rritur për 7.2% në nivel vjetor, ndërsa rritja reale e pagave në gjysmën e parë të vitit 2025 është vetëm 0.8%, që do të thotë se fuqia blerëse reale mbetet e ngrirë. Rritja e pagës minimale në 22.500 denarë, pa një rritje të përshtatshme të produktivitetit, ka krijuar tensione tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat përballen me kosto më të larta të fuqisë punëtore, presion të ekonomisë joformale dhe rrezik për mbyllje të vendeve të punës. Edhe pse papunësia zyrtare është 11.3%, realiteti demografik është i çrregulluar për shkak të emigrimit masiv dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, që dobëson më tej bazën ekonomike të vendit.
Për të dalë nga kjo gjendje stagnimi dhe populizëm fiskal, është e domosdoshme një kthesë drejt një modeli me investime produktive dhe reforma strukturore. Qeveria duhet të heqë dorë nga praktikat e transfertave sociale afatshkurtra pa efekt zhvillimor dhe ta ri-orientojë buxhetin drejt fushave që krijojnë vlerë ekonomike: infrastrukturë, burime të ripërtëritshme të energjisë, transformim digjital dhe modernizim të arsimit. Nevojitet një strategji industriale e qartë që do të mbështesë zhvillimin e startup-eve, qendrave të inovacionit, sektorëve eksportues dhe teknologjive të gjelbra. Gjithashtu, administrata publike duhet urgjentisht të reformohet përmes mjeteve digjitale, profesionalizimit dhe vendosjes së mekanizmave për matjen e rezultateve. Një nga sfidat kryesore mbetet shfrytëzimi i ulët i fondeve evropiane, për çka është e domosdoshme ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe formimi i trupave profesionale për projekte me potencial të lartë zhvillimor.
Në të njëjtën kohë, kapitali njerëzor duhet të bëhet pika qendrore e strategjisë ekonomike. Maqedonia e Veriut nuk mund të ndërtojë ekonomi të bazuar në dije pa një sinkronizim të plotë mes arsimit dhe tregut të punës. Nevojitet futja e programeve arsimore që i përgjigjen kërkesave reale ekonomike, stimulimi i arsimit profesional dhe ndërtimi i mekanizmave për mbajtjen dhe kthimin e talenteve nga diaspora. Nëse këto hapa nuk merren menjëherë, rrezikojmë jo vetëm humbjen e ritmit të zhvillimit ekonomik, por edhe shkatërrimin e plotë të kapacitetit prodhues të shtetit. Koha e improvizimit ka përfunduar periudha e ardhshme duhet të karakterizohet me vendime të guximshme, reformuese dhe vizionare, të cilat do ta transformojnë ekonominë nga një sistem konsumi në një ekonomi të vlerave, inovacionit dhe rritjes së qëndrueshme.