Në mesin e vendeve të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa marrin pjesë në “Evropën kreative” Maqedonia është mbi mesataren lidhur me pjesëmarrjen në programet, edhe pse nuk është e lehtë të tërhiqen mjete për projekte, theksoi Karell Bartak, drejtues i Sektorit për Kulturë i Agjencisë ekzekutive për arsim, veprimtari audiovizuele dhe kulturë pranë Komisionit evropian.
Në hapjen e konferencës “Evropa kreative e BE-së – stimul për bashkëpunimin kulturor” e cila sot mbahet në Shkup, Bartak tha se 28 organizata të Maqedonisë prej vitit 2014 deri më tani kanë marrë pjesë në projekte për bashkëpunim. Në programin shtatëvjeçar “Evropa kreative” (2014-2020) në dispozicion janë 1,45 miliardë euro për 28-të vendet anëtare të BE-së dhe për vendet të cilat marrin pjesë në program. Bartak theksoi se sektori kulturor dhe kreativ përfshijnë rreth tetë milionë të punësuar në BE dhe marrin pjesë me rreth 4 për qind të BPV-së së BE-së që, tha, nuk është pjesë e anashkaluar, por e rëndësishme e ekonomisë evropiane. “Programi i financon rreth 300 projekte për bashkëpunim, në të cilat bashkohen tre ose më shumë operatorë. I mbështetëm rreth 200 përkthime letrare për të cilat në Maqedoni ka interesim të madh. Financojmë 15 rrjete në mbarë Evropën të cilat përfaqësojnë sektorë dhe nënsektorë të ndryshëm, siç është platforma për poezi Versopolis. Kemi projekte të ndryshme për refugjatët, sivjet kemi thirrje për projekte për trashëgiminë kulturore”, tha Bartak. Ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski theksoi se me përkushtimin ndaj eurointegrimeve, të cilat janë prioritet në Qeverinë e RM-së, në mënyrë sistematike do ta rrisin motivimin tek operatorët kulturor për pjesëmarrje në projektet evropiane dhe do ta lehtësojnë qasjen ndaj programit. Në këtë drejtim, tha, menjëherë janë qasur drejt tejkalimit të problemit të kofinancimit, si një prej pengesave serioze për operatorët e kulturës në RM gjatë pjesëmarrjes në projektet e “Evropës kreative”.
“Ministria në kuadër të konkursit vjetor për vitin 2018 e përmirësoi bashkëfinancimin e projekteve të mbështetura prej “Evropës kreative”. edhe krahas sfidave me të cilat u ballafaqua sektori i Kulturës në dhjetë vitet e kaluara, vlen të theksohen rezultatet e deritanishme të operatorëve të Maqedonisë të sektorit kulturor dhe audiovizual, veçanërisht në sektorin botues, i cili tregoi përkushtim të jashtëzakonshëm, që rezultoi Maqedonia të jetë në gjashtë vendet e para shfrytëzuese së bashku me Bullgarinë, Serbinë, Kroacinë, Hungarinë dhe Slloveninë”, tha Allagjozovski. Ai e theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në vendet vogla në Ballkanin Perëndimor për pjesëmarrje më të barabartë dhe kompetenca në nivel evropian. Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar kumtoi se viti 2018 në BE është shpallur si vit i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.