Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet e radhës që mund t’i bashkohen zonës evropiane “Roaming si në shtëpi”, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk përmendet në këtë fazë të negociatave, shkruan gazeta KOHA.
Sipas njoftimit, bisedimet me Shqipërinë dhe Malin e Zi synojnë që këto dy vende të përfshihen në sistemin evropian të roamingut deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027. Ndërkohë, plani më i gjerë i Bashkimit Evropian është që deri në vitin 2028 në këtë zonë të përfshihen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, në njoftimin konkret të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut nuk përmendet përkrah Shqipërisë dhe Malit të Zi si pjesë e negociatave të radhës. Nuk jepen hollësi nëse Shkupi ka nisur një proces të ngjashëm, në cilën fazë ndodhet apo kur mund të përfshihet në sistem, raporton KOHA.
Parimi “Roaming si në shtëpi” u mundëson qytetarëve të përdorin internetin celular, thirrjet dhe mesazhet gjatë udhëtimeve pa tarifa shtesë të roamingut. Komisioni thekson gjithashtu se operatorët nuk kanë të drejtë ta ngadalësojnë shpejtësinë e internetit jashtë vendit. Nëse në vendin e vizituar ekziston rrjeti 5G, përdoruesit duhet të kenë qasje në të me cilësi të njëjtë si në vendin e tyre.
Zona aktualisht përfshin vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë. Që nga janari i vitit 2026, pjesë e saj janë bërë edhe Ukraina dhe Moldavia.
Edhe pse Komisioni Evropian paralajmëron përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2028, fakti që Maqedonia e Veriut nuk është përmendur bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi ngre pyetje nëse vendi po mbetet prapa edhe në këtë proces të integrimit praktik me Bashkimin Evropian. (koha.mk)



