Përdoruesit e rrjeteve sociale në Francë kanë reaguar ndaj deklaratave të bëra së fundmi në televizion nga ekonomisti Jean-Claude Delgènes, i cili tha se Franca ka “mbetur plotësisht pas për sa i përket kushteve të punës”. Euroverify ka analizuar të dhënat që qëndrojnë pas këtyre pretendimeve.
“Në një studim të realizuar në fund të vitit 2021 dhe të publikuar në 2022, Franca renditet në vendin e 36-të, në fund të listës bashkë me Shqipërinë, për sa i përket kushteve të punës”, deklaroi Delgenes për Public Senat, kanali zyrtar televiziv i dhomës së lartë të Parlamentit francez.
Deklaratat e tij kanë nxitur një lumë reagimesh në rrjetet sociale. Kjo ndodh në një kohë kur çështja e kushteve të jo të mira të punës është bërë një temë e nxehtë në Francë.
Euronews hodhi një vështrim më të afërt mbi të dhënat për të verifikuar pretendimet e Delgenes. Franca mbetet prapa shumicës së vendeve të tjera evropiane, ndërsa Maqedonia e Veriut ndodhet në vendin e 19, si vend me përqindje të lartë të ngarkesës ekstreme.
Pas Maqedonisë së Veriut nga vendet e rajonit ndodhen Bullgaria, Shqipëria, Kroacia dhe Serbia, ndërsa më mirë renditet Kosova.
Këto pretendime bazohen në një studim të vitit 2021 nga Eurofound, një agjenci me seli në Dublin që kryen kërkime mbi kushtet e jetesës dhe punës në vendet evropiane.
Analiza e tyre më e fundit mbi kushtet e punës në Evropë, e njohur si EWCS, daton nga viti 2021. Pritet që rezultatet e përditësuara nga terreni për vitin 2024 të publikohen më vonë gjatë këtij viti.
Kërkimi analizon kushtet e punës në 36 vende evropiane, duke përfshirë të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në studim përfshihet një “indeks i cilësisë së punës”, që kombinon të dhëna mbi aspekte të ndryshme si shëndeti, siguria, kënaqësia në punë dhe të tjera, për të matur nivelin e stresit që punonjësit përjetojnë në vendin e punës.
Sipas këtyre gjetjeve, vetëm në Serbi, Mal të Zi, Sllovaki dhe Poloni ka më shumë punonjës që punojnë nën kushte “jashtëzakonisht stresuese” ose “shumë stresuese” sesa në Francë.