Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 34-vjetorin e pavarësisë së saj. Ky përvjetor shtetin e gjen të bllokuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Trazirat politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit njëzet çuan në shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi.
Më pas, në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Me çka Maqedonia shpalli pavarësinë.
Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë, pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit.
Nga aspekti monetar vendi u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1991 ndërsa më pas formoi armatën, përvjetori i së cilës shënohet më 18 gusht.
Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.
Pasi Greqia nuk e pranonte emrin kushtetues RMV-së, anëtarësimi në OKB u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).
Problemi i kontestit të emrit me Greqinë u zgjodh në vitin 2018 me Marrëveshjen e Prespës ku më pas pasoi mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut, që u zhvillua në shtator të vitit 2018. Shumica e qytetarëve të vendit në referendum votuan pro anëtarësimit në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes RMV-së dhe Greqisë.
RMV-ja më 27 mars të vitit 2020 zyrtarisht u bë anëtari i 30-të i NATO-s.
Ndërkaq vendi është në rrugën e saj eurointegurese, por përpara vetes ka një sfidë të madhe, ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Maqedonia e Veriut e cila në 2005 fitoi statusin e “vendit kandidat”, pasi të bëjë ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga protokolli bilateral i nënshkruar me Bullgarinë, do të fillojë të hapë kapitujt për anëtarësim në BE.
Por vendi mbetet i ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje dhe mungesa e vullnetit politik për zgjidhje.
Përndryshe, dita e pavarësisë shënohet me aktivitete dhe organizime të ndryshme në mbarë vendin.