Marrëveshja Kornizë e Ohrit e nënshkruar në vitin 2001 reflektoi përfundimin e konfliktit të armatosur në Maqedoni dhe rrumbullakësim të negociatave mes subjekteve më të rëndësishme politike të asaj kohe (LSDM, VMRO-DPMNE, PPD dhe PDSH), ndërsa garantorë të Marrëveshjes ishin SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja. Marrëveshja më vonë u shndërrua në amandamente kushtetuese dhe më tej në ligje dhe akte tjera nënligjore. Sidoqoftë, në pjesën e zbatimit të parimeve dhe frymes së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, konstatim i opinionit më të gjërë në vend është se implementimi i Marrëveshjes është i ngadaltë, i papërgjegjshëm dhe jocilësor. Edhepse implemetimi i saj është imperativ kushtetues dhe ligjor, edhe sot përgjegjësia për mosimplementim të saj mbetet e pasankcionuar.
Maqedonia Unitare
Edhepse me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit Maqedonia e ruajti kualifikimin juridik të shtetit unitar, Marrëveshja i shtoi unitarizmit shtetëror një karakteristikë të veçantë të a.q. Parim i Badinterit, respektivisht parimin e shumicës së dyfishtë për çështje të caktuara të cilat paraqesin interes thelbësor për shqiptarët dhe bashkësitë tjera më të vogla etnike, siç janë arsimi, kultura, përfaqësimi i drejtë në institucione, etj. Andaj edhe unitarizmi i Maqedonisë me shtesën “parimi i Badinterit” është sui generis, gjegjësisht dallohet nga unitarizmi klasik prezent në shumicën e shteteve evropiane. Nëse kësaj i shtohet fakti që Maqedonia është shteti më multietnik në Evropë (raporti i bashkësisë më të madhe entike kundrejt bashkësive tjera etnike është 60:40) dhe prej pavarësimit të saj e deri më sot në vazhdimësi kemi qeveri të koalicionit shumëetnik, atëherë me të drejtë mund të konstatohet se rregullimi i këtillë politik duhej të prodhonte marrëdhënie të relaksuara ndëretnike. Fatkeqësisht, edhe 14 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si shtet nuk krijuam rrethana që në një shoqëri multietnike të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Habit edhe fakti që kohezioni mes partnerëve të koalicionit reprezentë të bashkësive më të mëdha etnike në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve, nuk reflektohet edhe në raportet ndëretnike mes tyre.
Maqedonia “federale”
Shpesh në opinion hedhen teza se Maqedonia funksionon si shtet federal. Nëse nisemi nga aspekti juridik, assesi nuk mund të flasim për federalizëm, kur një sisitemi të tillë politik nuk i paraprijnë aktet dhe normat e nevojshme për ta karakterizuar sistemin si federal. Mirëpo, në jetën e përditshme politike, herë pas here hasim në fenomene që sinjalizojnë federalizmin. Kështu, sot kemi situata kur Kryeministri maqedonas shumë më tepër angazhohet për zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve që tangojnë shumicën e qytetarëve maqedonas, duke hezituar të bëjë të njejtën edhe për qytetarët shqiptarë. Asgjë më ndryshe nuk ndodh edhe me përfaqësuesin politik të shqiptarëve në pushtet, prioritet i të cilit janë problemet që mundojnë qytetarët shqiptarë. Kështuqë, mund të vihet në përfundim se në pushtetin ekzekutiv kemi të bëjmë me përfaqësim etnik, diçka e largët për konceptin unitar të shtetit, pra karakteristikë e sistemit federal.
Maqedonia “regjionale”
A ka në Maqedoni elemente të regjionalizmit? Juridikisht, jo. Në praktikë, po. Shembuj më eklatantë kemi në pjesën e orientimit të investimeve dhe qasjen ndaj komunave nga ana e partnerëve të koalicionit qeverisës. Këtu kemi situatë kur partitë e bllokut politik maqedonas me vite insistojnë të kahëzojnë investimet (sidomos ato të huaja) në Maqedoninë Lindore ku shumicë dominante janë maqedonasit, ndërsa nga ana tjeteër partitë politike shqiptare në platformën e tyre angazhohen për më shumë investime në Maqedoninë Perëndimore ku shumicë janë shqiptarët, edhepse pa rezultate konkrete në këtë çështje. Këto teza edhe më shumë vërtetohen përmes rasteve kur një komunë e caktuar ndihmohet më shumë ose më pak nga ana e pushtetit qendror varësisht nga fakti cilës parti i takon Kryetari i komunës, atyre të pushtetit apo të opozitës (shembuj të sotëm janë Komuna e Qendrës dhe Komuna e Strugës). Sjellja e tillë e Qeverisë shkakton ndjenjë te qytetarët se komuna ose rajoni i tyre është më pak i favorizuar në krahasim me të tjerët, andaj edhe ballafaqohemi me praktika dhe ide të ndyshme të aktorëve politik dhe ekonomik në shoqëri që përfaqosojnë regjionalizmin (shembulli me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, ideja për themelimin e një unioni të komuna me shumicë shqiptare, etj.)
Çka më tej?
Në rrethanat aktuale kur shteti ballafaqohet me krizë të thellë politike, ekonomike dhe sociale nga njëra anë dhe me pikëpamje të dallueshme për periudhën pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe konsekuencat e saja nga ana tjetër, jam i bindur se ka ardhur koha të hapet debat i mirëfilltë në shoqëri rreth disa ideve dhe propozimeve, siç janë:
- Koalicionet ndëretnike parazgjedhore mes partive politike maqedonase dhe shqiptare – pas 24 viteve pavarësi dhe qeverisje shumëetnike, a është Maqedonia e gatshme për këtë risi në politikën e vendit? Vlen të provohet!
- Sankcione rigoroze për mosimplementimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit – forcimi i politikave ndëshkuese kundrejt organeve dhe personave udhëheqës që nuk i respektojnë normat e MKO-së;
- Përmes procedurës parlamentare të jepet intepretim autentik i amandamenteve të Kushtetutës që shkaktojnë kundërshtime mes politikanëve dhe ekspertëve shqiptarë dhe maqedonas dhe, sipas nevojës, ndryshimi i tyre me qëllim të definimit të tyre më të qartë (shembulli me Amandamentin V i cili rregullon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare);
- Të zgjerohet ndikimi i Parimit të Badinterit edhe atë gjatë zgjedhjes së Qeverisë, Kryetarit të Parlamentit, miratimit të buxhetit, etj. Është kohë e fundit që të krijohet bazë juridike dhe ambient politik që një nga tre funksionet më të rëndësishme të shtetit të udhëhiqen nga një shqiptar. Nga ana tjetër, nuk ka zhvillim në arsim, kulturë, përfaqësim të drejtë dhe adekaut në administratën shtetërore dhe publike të bashkësive etnike joshumicë nëse nuk sigurohen mjete të mjaftueshme nga buxheti i shtetit;
- Nëse mbizotëron qëndrimi se rregullimi i tanishëm politik përputhet me nevojat dhe veçantitë e shoqërisë në Maqedoni, atëherë duhet të hapet debat dhe të merren vendime politike për ndryshimin e tekstit të himnit dhe stemës së shtetit. Himni në asnjë mënyrë nuk reflekton realitetin shumëetnik të vendit, ndërsa stema e shtetit edhe pas 24 viteve pavarësi ende na përkujton socializmin-komunizmin jugosllav…;
- Ekspertët juridik përmes analizës profesionale dhe debatit të hapur publik duhet të sjellin konkluzion, cili sistem politik do të ishte më së miri i aplikueshëm në shtetin dhe shoqërinë tonë, duke marrë parasysh multietnicitetin e theksuar të vendit? Maqedonia nuk guxon të ketë tabu tema në temën se cili sistem politik do të sjell më shumë demokraci, zhvillim më të hovshëm dhe marrëdhënie më të relaksuara ndëretnike dhe ndërfetare në vend.