Dymbëdhjetë pjesëtarë të ARM-së në nëntor duhet të shkojnë në misionin “Mbështetje e vendosur” në Afganistan, ndërsa mandati do t’ju përfundojë pas gjashtë muajsh, në maj, ndërsa në misionin “Altea” në BeH, nga Maqedonia do të marrë pjesë një pjesëtar, oficer shtabi, gjithashtu me mandat prej gjashtë muajsh.
Komisioni kuvendor i Mbrojtjes dhe Sigurisë i kaloi sot Propozim-vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të ARM-së për pjesëmarrje në operacionin paqësor “Mbështetje e vendosur”,në Republikën Islamike të Afganistanit dhe Propozim-vendimin për dërgimin e një pjesëtari të Armatës së Republikës së Maqedonisë për pjesëmarrje në operacionin paqësor të BE-së “Altea” në Bosnjë e Hercegovinë për procedurë të mëtejme kuvendore.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në fjalimin deri tek anëtarët e Komisionit theksoi se 12-të pjesëtarët e ARM-së do të asistojnë ose do të marrin pjesë në misionet në pjesën e Komandës për trajnim, këshillimit dhe asistimit. Financimin për kompensimet, si dhe pagat do t’i mbulojë Maqedonia, ndërsa shpenzimet për transport, akomodim dhe ushqim i sigurojnë vendet partnere.
Kryetari i Komisionit kuvendor, Hari Lokvenec kërkoi prej ministres të sqarojë se çfarë do të thotë anëtarësimi i Maqedonisë në NATO lidhur me misionet, gjegjësisht nëse do të vijë drejt rritjes së numrit të ushtarëve.
“Këto janë temat për të cilat bisedojmë në bisedimet parainkuadruese me NATO-n dhe një prej mesazheve politike të cilat na i dërgojnë nuk është vetëm angazhimi ynë shumëvjeçar në misionet e NATO-s i cili gjithmonë vlerësohet, por edhe fakti se gjithmonë vendimet për NATO-n, por edhe misionet e tjera sillen me shumicë të madhe në Kuvend. Vendimi për pjesëmarrjen tonë në misionet është vendim që e sjell Kuvendi, por është fakt se ushtria jonë në emër të interoperabilitetit dhe anëtarësimit në NATO do të duhet të ketë numër më të madh të ushtarëve të gatshëm për pjesëmarrje”, sqaroi ministrja.
Ajo shtoi se bëhet vlerësim në negociata se sa pjesë të njësiteve të Maqedonisë do të deklarohen, në cilat vende në strukturën e NATO-s vendi do të dërgojë pjesëtarë dhe në cilat prej këtyre komandove do të kemi mundësi të plasohemi me oficerët tanë.
Shekerinska theksoi se sikurse Mali i Zi edhe Maqedonia ka vendosur të dërgojë një pjesëtar të saj në KFOR.
“Vlerësojmë se është mirë për ndërtimin e sigurisë dhe gjithsesi edhe në një vend flamuri ynë do të vihet paralelisht me vendet-anëtare të NATO-s”, shtoi ministrja e Mbrojtjes.
Informoi se javën e ardhshme informacioni i parë prej rezultateve të bisedimeve parainkuadruese me NATO-n do të elaborohet në seancë qeveritare.
Para anëtarëve të Komisionit theksoi se pjesëmarrja në misionin Altea në BeH është mundësi që Maqedonia të jetë e pranishme edhe në debate me temë siguria, të cilat udhëhiqen në BE.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Emill Dimitriev theksoi se dërgimi i pjesëtarëve të ARM-së në operacionet paqeruajtëse është temë e cila i bashkon edhe pozitën dhe opozitën me vite të tëra dhe theksoi se vlerëson se duhet mbështetur unanimisht nga aspekti i formimit të prestigjit tek partnerët.