Ministri i punëve të jashtme në Kosovë, Behgjet Pacolli, sot në vizitën e tij, në Maqedoni, me homologun e tij Nikolla Dimitrov, tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Maqedonisë, ku edhe shtrinë dorë për bashkëpunim në shumë sfera.
Për anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, u tha nga ana e ministrit Dimitrov që do të marrim parasysh interesat e të gjithëve, në bazë të interesit të Kosovës, të Serbisë, por edhe në pajtim të interesave personale, që i përfshin edhe interesat e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, njofton Almakos.
“Maqedonia këtë çështje e trajton me vëmendje të jashtëzakonshme, sepse bëhet fjalë për çështje që i ndan dy fqinjët tanë, të cilët duam të jenë në anën e njëjtë. Ne nuk do të kemi rol kyç në atë proces dhe pasi do të vijë në rend dite do t’i kemi parasysh interesin e miqve tanë nga Kosova, interesin e miqve tanë nga Serbia dhe do të sjellim vendim në pajtim me interesat e Republikës së Maqedonisë, që i përfshijnë edhe interesat e bashkëqytetarëve tanë, të cilët janë pjesëtarë të komunitetit shqiptar”, theksoi Dimitrov. Ai përmendi se të gjitha shtetet e Ballkanit duhet sa më shpejt ta pranojnë perspektivën se nuk ka anë, madje edhe për çështjet më delikate, sepse siç tha “të gjithë së bashku një ditë do të gjendemi në të njëjtën anë”.
Pacolli nga ana e tij theksoi se anëtarësimi i Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare, e rrit edhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
“E mbështesim Maqedoninë dhe e presim mbështetjen e saj. Ne jemi dy vende fqinje dhe fqinji nuk zgjidhet. Fati ynë është të bashkëpunojmë”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Autoritetet prishtinase në fillim të muajit kumtuan se kanë hequr dorë nga kërkesa për anëtarësim në Interpol dhe UNESKO-s. MPJ e Kosovës kumtoi se “anulimi pragmatik” i kërkesës është bërë në pajtim me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Qeveria e Kosovës paradokohe paralajmëroi se punon në anëtarësimin në Interpol vitin e ardhshëm dhe në UNESKO në vitin 2019. Dy ministrat në takimin e sotëm në Shkup kanë arritur marrëveshje që të mbajnë seanca të përbashkëta qeveritare, ku e para është caktuar në fillim të vitit të ardhshëm.
Kosova dhe Maqedonia sipas Dimitrov kanë kornizë solide juridike, të bazuara në 19 marrëveshje dy palëshe dhe shumë nisma për bashkëpunimin dypalëshe.
Pacolli theksoi se në takim është biseduar për mundësitë për ndërlidhje infrastrukturore, mënjanim të barrierave në transport dhe tregti, rritje të vëllimit të shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve. Shefi i diplomacisë kosovare përmendi se është biseduar edhe për mundësinë për zonë të lirë ekonomike, si dhe për mundësinë që doganimi të bëhet vetëm në një vend. Maqedonia dhe Kosova kanë vendosur marrëdhënie diplomatike në vitin 2009. Kosova është vendi i 127-të me të cilën Republika e Maqedonisë ka vendosur marrëdhënie diplomatike nën emrin kushtetues.
Nga ana tjetër Shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov paralajmëroi se do të bisedojë me të gjithë kolegët e tij të rajonit, vendet e të cilëve janë prekur nga masa e re e Bashkimit Evropian për vendosjen e takës për hyrjen e qytetarëve të vendeve ballkanike të cilët kanë regjim pa viza, me qëllim të gjendet qasje e përbashkët ndaj kësaj çështje.
“Duam të jemi pjesë e BE-së, ndërsa hapi i ardhshëm do të ishte pjesë e zonës së Shengenit. Në këtë pikëpamje liria e lëvizjes është jashtëzakonisht e rëndësishme. I tërë rajoni, ndërsa veçanërisht qytetarët e Kosovës kanë interes nga liberalizimi i vizave”, theksoi Dimitrov. Ai paralajmëroi se do të bëjë gjithçka me qëllim që të evitohen vështirësitë shtesë në lirinë e lëvizjes.
“Do të bisedoj me të gjithë kolegët e mi të rajonit që të gjejmë mënyrë të tregojmë se ngarkesat shtesë të asaj lirie të lëvizjes nuk janë të dobishme. Është herët të flitet për atë çfarë mund të ndërmerret më tej në pjesën e vendosjes eventuale të masave reciproke nga ana jonë. Duam transparencë më të madhe, e jo mbyllje shtesë lidhur me BE-në ndaj rajonit tonë dhe ndaj Republikës së Maqedonisë”, shtoi Dimitrov.
Sipas shefit të diplomacisë së Kosovës Behgjet Pacolli, kjo masë nuk do të zgjasë shumë. Ai shfaqi shpresë se viti 2018 do të jetë vendimtar lidhur me rritjen e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës. Vendosja e sistemit ETIAS do të kërkojë nga banorët e shteteve ballkanike dhe vendeve të tjera të cilat nuk janë anëtare të BE-së, por kanë regjim pa viza me Unionin, të plotësojnë formular elektronik me të dhënat e tyre dhe të paguajnë taksë prej 10 eurosh për hyrje në BE. Eurokomisari për emigrim dhe punë të brendshme Dimitris Avramopulos dje deklaroi se ky sistem nënkupton siguri më të madhe edhe për anëtaret e BE-së dhe për vendet e Ballkanit. Përfaqësuesi grek në KE insiston se sistemin ETIAS do të jetë vetëm një masë e vogël procedurale për hyrje në BE, ndërsa në numrin më të madh të rasteve do t’i thjeshtësojë udhëtimet në Union.
Ndërsa, në takimin Pacolli – Zaev, u tha se Qeveria e Republikës së Maqedonisë është përcaktuar të ndërtojë marrëdhënie të mira me Republikën e Kosovës, si dhe me të gjithë fqinjët dhe me këtë në mënyrë aktive të kontribuojë ndaj ardhmërisë së tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, në Bashkimin Evropian dhe në NATO, theksoi sot kryeministri Zoran Zaev në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli. “Kemi potencial, si dy qeveri të reja të cilat mendojnë mirë për qytetarët e tyre dhe shtetet e tyre, të ecim përpara në proceset eurointegruese”, vlerësoi kryeministri Zaev. Siç kumtoi shërbimi qeveritar për media, në takim së bashku është konstatuar se Maqedonia dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura bilaterale, që hap mundësi të mëdha për përparimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. “Jemi të përkushtuar si Qeveri, ta përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë dhe t’i hapim perspektivat euro-atlantike. Do t’i ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme për realizimin e qëllimeve qytetare dhe shtetërore”, shtoi kryeministri Zaev.
Bashkëbiseduesit diskutuan për fushat konkrete në të cilat do të intensifikohet bashkëpunimi midis Maqedonisë dhe Kosovës. Ato janë ekonomia, energjetika, infrastruktura, lehtësimet doganore, lëvizja më e thjeshtë e njerëzve dhe mallit. Është dakorduar që qeveritë e Maqedonisë dhe të Kosovës t’i nxitin bashkësitë e biznesit dhe odave për bashkëpunim më të fuqishëm dhe më aktiv, si dhe realizimin e takimeve më të shpeshta në nivel të lartë qeveritar. Ministri Pacolli theksoi se Kosova i mbështet integrimet në NATO të Maqedonisë që do të kontribuojnë ndaj përforcimit të sigurisë dhe do të ndikojnë në perspektivat për tërë rajonin, ndërsa shprehu edhe transparencë në perspektivat për tërë rajonin, si dhe shprehu edhe transparencë për zbatimin e përvojave nga Maqedonia në integrimet e BE-së.
Ai vlerësoi se Zaev me aftësi të madhe dhe dinjitet ka krijuar një shoqëri për të gjithë. Me këtë, siç vlerësoi ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, kryeministri Zaev ka treguar si respektohen njerëzit pavarësisht nga cilado diferencë dhe ka bërë kthim në marrëdhëniet dhe respektimin midis qytetarëve në Maqedoni, për çka e ka respektin e tërë rajonit dhe të botës, duke e përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Në takim u bisedua edhe për mundësinë për realizimin e takimit në nivel më të lartë të kryeministrave.
Delvina Kërluku
Almakos.com