Implementimi i projekteve për integrimi multi-etnik në arsim, po hyn në fazën e avancimit sa i përket formës dhe mundësisë së realizmit. Tani e tutje, nuk do të jenë vetëm aktivitete sportive me karakter zbavitës të cilat do ta karakterizojnë këtë proces, por edhe mësim i integruar me paralele të përziera.
Pra, shkollat do të kenë mundësi të organizojnë edhe aktivitete mësimore multi-etnike, respektivisht të formojnë paralele të përziera ku mësimi mund të realizohet në më tepër gjuhë dhe për këtë nuk do të jetë e nevojshme që nxënësit të jenë domosdoshmërisht vetëm të një shkolle, por mund të vijnë edhe nga dy shkolla ku mësimi zhvillohet në gjuhë të ndryshme.
Kështu ka shpjeguar të martën ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, duke pohuar se për këtë qëllim është intervenuar edhe në ligjet që rregullojnë arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoni. Deri tani, sikurse dihet integrimi multi-etnik në arsim, por me aktivitete sportive dhe zbavitëse financohej nga organizatat e huaja, kurse tani e tutje do të financohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Ndryshimet ligjore që janë bërë në korrik të vitit të sikurse thotë Lutfiu do t’ju mundësojnë shkollave të aplikojnë për projekte me karakter multi-kulturor të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).
Ndryshime të reja ligjore
Integrimi ndëretnik, në pjesën e aktiviteteve mësimore, sikurse konfirmon ministri i Arsimit, nënkupton edhe formimin e paraleleve të përziera.
“Duke pasur parasysh që shkollat promovojë vlera të multi-kulturalizmit, ndryshuam ligjet që t’ju mundësojmë atyre marrjen e fondeve që sigurohen nga ministria për këtë qëllim. Shkollat e pastra një etnike mund të bashkëpunojnë me shkolla të një etniteti tjetër dhe në këtë mënyrë të vendosin urat e bashkëpunimit ndëretnike. Aktivitetet mësimore nënkuptojnë edhe formimin e paraleleve të përziera nga të gjitha etnitetet”, sqaroi ai.
Përfituesit e parë të këtyre projekteve janë shkollat të cilat kishin aplikuar për Konkursin përkatës që MASH-it kishte publikuar para tre muajve, kurse emrat e shkollave janë publikuar në vebfaqen zyrtare të kësaj ministrie po ditën e martë.
“Më 17 nëntor, vitin e kaluar, MASH shpalli thirrje publike për ndarjen e mjeteve për organizimin e aktiviteteve për gjithsej 60 programe për arsimin fillor dhe gjithsej 20 programe për arsimin e mesëm”, tha ministri, ndërsa nënvizoi se shpërndarja e mjeteve për realizimin e aktiviteteve të cilat kanë të bëjnë me multi-kulturalizmin, integrimin ndëretnik dhe tolerancën nëpër shkolla.
“Projektet mund të parashihen si pjesë e aktiviteteve jashtëshkollore ose si pjesë e mësimit të rregullt”, tha ai, ndërsa qëllim sipas tij, është që “MASH të forcohen dhe të mbështetur aktivitetet që kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e multi-kulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës në arsim”.
Ne, plotësoi më tej Lutfiu, kemi bërë ndryshime në Ligjin për arsim fillor dhe Ligjin për arsim të mesëm, me qëllim që të gjitha shkollat të janë të pajisura me programe kreative në fushën e arsimit të procesit arsimor dhe që për këtë të aplikojnë në ministri për të fituar fonde për zbatimin e tyre. Vlera e financimit të një projekti me karakter integrimin ndëretnik në arsim, shkon deri në tridhjetë mijë denarë.
Të arsimuarit e rinj problem me punësimin
Modeli garanci rinore, vendet e gjelbra të punës, biznes inkubatorët dhe qendrat për karrierë, janë një pjesë e mundësive për ulje të papunësisë tek të rinjtë e cila në Maqedoni, por edhe në shtetet e tjera është dyfish më e madhe nga shkalla e përgjithshme e papunësisë.
Tranzicioni nga institucionet arsimore në tregun e punës theksohet si problem më i madh i të rinjve gjatë punësimit. Për praktikat dhe modelet inovative se si të rritet punësimi tek të rinjtë sot në konferencën në Shkup debatojnë përfaqësues të Forumit rinor evropian dhe forumeve rinore kombëtare nga më shumë shtete evropiane.
Damjan Nikollovski, kryetar i Këshillit rinor kombëtar, vlerësoi se arsye për papunësinë rinore në masë të madhe janë sistemi ekonomik dhe ndryshimet në botë, por edhe arsimi dhe tranzicioni i të rinjve nga sistemi arsimor në tregun e punës i cili, siç potencoi, jo çdoherë kalon lehtë dhe shpesh di t’u bëjë problem të rinjve.
“Aftësitë të cilat i fitojnë në shkollë dhe fakultet përgjithësisht nuk përgjigjen me atë që e kërkojnë punëdhënësit në tregun e punës dhe kështu vjen deri në periudhë të gjatë adaptimi. Punëdhënësve nuk u pëlqen ajo që e shohin tek të rinjtë kur për herë të parë i punësojnë, dëshirojnë menjëherë kudër të gatshëm, ndërsa të rinjve madje nga ana tjetër u nevojitet përvojë që të mund të bëhen produkt i gatshëm, kështu që vazhdimisht sillemi në një rreth magjik”, deklaroi Nikollovski.
Sipas tij, duhet të bëhet dallim midis punësimit dhe vendeve cilësore të punës për të cilët angazhohen të rinjtë, e jo vetëm vend vetëm sa të punohet diçka sepse në këtë mënyrë i riu nuk do të inspirohet dhe nuk do ta shfrytëzojë potencialin. Ambasadori britanik në Maqedoni Çarls Garet porositi se nevojitet mbështetje e projekteve me të cilët ndihmohen të rinjtë që të jenë më të pranishëm në tregun e punës. Me sfida të tilla, siç tha, ballafaqohen të gjithë vendet evropiane, jo vetëm në Maqedoni dhe Britani, ndonjëherë arsyet janë ekonomike ndonjëherë shoqërore. Më të suksesshme janë shtetet të cilat angazhohen, bisedojnë dhe i ndërmarrin masat e nevojshme./Koha