Komisioni parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në seancën e sotme të 51-të, do të mbajë debat publik për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal.
Projektligji është paraqitur nga deputetët Bojan Stojanoski, Ljupço Prendzov, Toni Jarevski, Brane Petrushevski, Dragana Bojkovska, Dafina Stojanoska, Igor Zdravkovski, Lidija Petkoska dhe Martin Stojanovski.
Siç theksohet në arsyetimin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, qëllimi i miratimit të këtij ligji është harmonizimi i Kodit Penal, eliminimi i dobësive në dispozitat ekzistuese dhe veprimi në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 12 shkurtit 2025, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 58/25. Tendenca e ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është përmirësimi i dispozitave ligjore dhe ashpërsimi i politikës ndëshkuese, përmes rritjes së dënimeve të parapara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” (neni 353) dhe “Shoqatë kriminale” (neni 394).
Në këtë mënyrë do të hiqeshin dobësitë e identifikuara në dispozitat ekzistuese, veçanërisht në aspektin e forcimit të funksionit parandalues dhe represiv të politikës ndëshkuese. Njëkohësisht, do të veprohej në përputhje me vërejtjet e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2023, duke rivendosur një kornizë reale dhe të qëndrueshme ligjore për forcimin e luftës kundër korrupsionit të lartë.
Theksohet se gjatë përgatitjes së këtij projektligji është përdorur analizë krahasuese e përgatitur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Duke u nisur nga keqpërdorimet e privatësisë dhe boshllëqet ligjore të evidentuara në praktikë, është paraqitur nevoja për futjen e një vepre të re penale, konkretisht kriminalizimi i “Keqpërdorimit të incizimeve, fotografive, regjistrimeve audio ose shkrimeve me përmbajtje seksualisht eksplicite”. Kjo vepër penale synon mbrojtjen e privatësisë dhe sanksionon bërjen e qasshme të materialeve të tilla për persona të tretë, pa pëlqimin e personit që lidhet me materialin, ose pa pëlqimin e personit të paraqitur në të.
Projektligji përfshin edhe ndryshime lidhur me konfiskimin e zgjeruar (neni 98-a), duke zgjeruar spektrin e veprave penale për të cilat mund të zbatohet. Gjithashtu, bëhet harmonizim me Konventën e Stambollit, përmes ridefinimit të veprës penale “Lëndim trupor” (neni 130), duke hequr ndjekjen penale me propozim në rastet e dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave, dhunës në familje, krimeve nga urrejtja ose ndaj personave veçanërisht të cenueshëm. Në këto raste, ndjekja penale do të bëhet me detyrë zyrtare.
Për shkak të dobësive të konstatuara në praktikë, propozohen edhe dy forma të reja të veprës penale “Tregti me fëmijë”, me qëllim adresimin e problematikës së lypjes. Krahas kësaj, projektligji përmban edhe ndryshime urgjente me karakter teknik dhe sqarues, që lidhen me arrestin shtëpiak, dënimin me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse dhe konfiskimin e zgjeruar.
Projektligji përmban gjithashtu dispozita për harmonizimin e veprave penale kundër sigurisë në trafik dhe konfiskimin e sendeve, në kuadër të paketës ligjore të projektit “Safe City”.


