BDI 9 vite ka qenë në koalicion qeveritar me partinë e deputetit serb në Maqedoni, Ivan Stoilkoviq, për të cilin u publikuan biseda se ka bashkëpunuar me shërbimin sekret serb, mirëpo nga partia e Ali Ahmetit nuk ka paralajmërime se do të ketë ndonjë dorëheqje për këtë shkak. Në BDi rrallë herë vendosin të japin përgjegjësi për shkak të skndaleve, kurse nëse do të jetë ashtu edhe kësaj radhe mbetet të shihet.
Deputeti serb, Ivan Stoilkoviq që është në koalicion me VMRO-DPMNE ka theksuar se do të padisë Maqedoninë për përgjimin e tij. Ai këtë reagim e ka bërë, pasi që mbrëmë janë publikuar bisedat telefonike të përgjuara mes tij dhe agjentit serb të BIA, Goran Zhivaljeviq, i cili ishte parë natën e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.
“Nëse e përgjoni një deputet dhe e vendosni në të ashtuquajturat masat PIM, patjetër duhet të kenë vendim nga gjykata, ndërsa për të marrë miratim nga gjykata, duhet të ketë arsyetim. Nuk e dij dhe nuk janë i vetëdijshëm se si mund të përgjohem, kur kam çertifikat të sigurisë”, theksoi Stoilkoviq. Në raportin e publikuar nga portali hulumtues krik, thuhet se agjenti serb kontrollonte dhe i orientonte të gjitha aktivitetet e deputetit Stoilkoviq në Maqedoni dhe përmes tij ndikonte në krizën politike.