Një lajm i mirë për mërgimtarët e shtetit maqedonas vjen pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se të gjithë qytetarët e regjistruar në vitin 2021, përfshirë ata në mërgatë, të trajtohen si “rezidentë” dhe jo më të ndarë në kategori “rezident” e “jo rezident”, përcjell albinfo.
Vlen të theksohet se vendimi vjen pas iniciativës së deputetit të Frontit Evropian, Skender Rexhepi, i cili e dorëzoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar ndarjen që, sipas tij dhe shumë organizatave shqiptare, cenonte barazinë qytetare dhe zvogëlonte peshën e diasporës në statistikat zyrtare.
Ndërkohë, Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim theksoi se ka qenë në ballë të kësaj kauze, e cilësoi këtë vendim si një nga fitoret më të mëdha të mërgatës shqiptare në dekadën e fundit.
“Luftuam për Gostivarin, por fitoi e mbarë shqiptaria”, thuhet në reagimin e Unionit, që kishte ngritur këtë çështje si shqetësim dhe kishte apeluar për ndërhyrje ndaj këtij diskriminimi, që ishte bërë me regjistrimin e vitit 2021.
Deputeti Skender Rexhepi kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e pjesëve të metodologjisë së regjistrimit të vitit 2021, të cilat ndanin qytetarët në “rezident” dhe “jo rezident”.
Ai argumentoi se kjo ndarje ishte në kundërshtim me parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të qytetarëve, sidomos ndaj shqiptarëve në mërgatë, të cilët u trajtuan si qytetarë të një kategorie të dytë.