Manifestime pati pothuajse në të gjitha qytetet, por në qytetin e Prilepit, në një prani të madhe funksionarësh, u përkujtuan të rënët në luftën nacionalçlirimtare.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, tha se në këtë ditë janë të pavdekshëm të gjithë ata që luftuan për mbrojtjen dhe lirinë e vendit.
“Secila gjeneratë ka luftën e vet”, tha më tej Sheqerinska, sipas të cilës lufta e sotshme janë themelet mbi demokracinë dhe të drejtat dhe liritë e njeriut.
“Secila gjeneratë ka luftën e vet. Maqedonia si shtet ka treguar se është e zellshme më tutje të luftojë për demokracinë, stabilitetin e vet, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik”,- tha ministrja e Mbrojtjes, Radmila Sheqerinska.
Koha është që ta shndërrojmë shtetin tonë në shtëpi për të gjithë qytetarët, tha kryeministri, Zoran Zaev, në manifestimin kryesor para përmendores së çlirimtarëve të Qytetit të Shkupit.
“Tash është koha t’u tregojmë skeptikëve të fundit se Maqedonia, si shtet i lirë i të gjithë qytetarëve, është yll i ri në Europën me yje, sepse e meritojmë atë vend”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Me rastin e 11 tetorit nuk kanë munguar as telegram-urimet e funksionarëve shtetërorë. Shefi i shtetit, Gjorge Ivanov, në urimin e tij, mes tjerash, ka thënë se “rruga e të parëve për të arritur te 11 tetori është bazuar në tri vlera: liri, drejtësi dhe njerëzi, të cilat i ndërtuan në themelimin e shtetit tonë, ndërsa detyra jonë është që këtë shtet ta duam, ruajmë dhe t’ia dorëzojmë ardhmërisë sonë”.