Duke shfryrë të gjithë zemërimin e tij ndaj qeverisë në të cilën deri pak orë më parë ishte anëtar, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka zbuluar edhe disa prapaskena që kanë të bëjnë me kolegët e tij ministra.
Edhe pse fillimisht ka thënë se nuk ka asgjë me ta, Manjani ka dashur të shmangë çdo përgjegjësi që e shikon si të lidhur me Klement Balilin, i quajtur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit” dhe që është shpallur në kërkim nga policia pas akuzave për transport të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.
Ish-ministri ka nënviuar se ka kërkuar arrestimin e Balilit, ndërkohë që sipas tij ministrat flinin në hotelin e të shumkërkuarit nga Saranda me dashnoret e tyre.
“Do isha shumë i fyer po të jepja dorëheqjen. Unë nuk marr përgjegjësitë e kanabizimit të vendit. Edhe sikur kjo të jetë dita ime e fundit e politikës. Këtë e kam shumë sinqerisht. Me shumë dashuri dhe me shumë dashamirësi. Nëse koalicioni vazhdon kjo është një çështje që nuk më takon mua dhe s’dua të dëgjoj më për këtë histori. E dini ju që në 30 dhjetor qeveria ka marrë një vendim pa u mbledhur. Shikoni TIMS, shumica e ministrave ishin jashtë shtetit. Si mund të jetë dakord ministri i drejtësisë me këtë çështje? Këto janë historitë. Këto janë ndarjet parimore. Këto gjëra nuk duhen thënë? Çfarë kam thënë unë? Kam thënë të arrestohet Klement Balili. Ndërkohë që unë bëja këtë drejtorët e policisë hanin dhe pinin te Santa Quaranta me dashnoret e tyre”- tha ai.
30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)