Nocioni “Ashura” është fjalë e gjuhës arabe, që donë të thotë „e dhjeta“. Me nocionin “ashura” në terminologjinë e Islamit nënkuptojmë: ditën e dhjetë të muajit Muharrem sipas kalendarit Islamik, (që këtë vitë është ditën e premte më 23 tetor 2015)
Për vlerën dhe rëndësinë e kësaj dite në historinë e Islamit, gjemë disa transmetime nga Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, që tregojnë se cila është arsyeja që dallon këtë ditë, pra ditën e dhjetë të muajit Muharrem, nga ditët tjera të vitit.
Në një transmetim nga ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: pasi që pejgamberi alejhis-selam imigroi prej Mekkes në Medinë, atje kishte parë çifutët duke agjëruar ditën e ashures (ditën e dhjetë të muajit Muharrem), e pastaj i pyeti: Çka është kjo ditë që po e agjëroni? ata i thanë: kjo është një ditë e mirë, ditë madhështore, këtë ditë Allahu xh.sh. e shpëtoi Musan dhe popullin e tij në njërën anë, kurse dhe e fundosi Faraonin dhe popullin e tij në anën tjetër. Andaj, këtë ditë e agjëroi Musa alejhis-selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut Xhel-le Xhelaluhu e edhe ne e agjërojmë këtë ditë. Në këtë rast pejgamberi alejhis-selam tha: „Ne kemi më shumë të drejtë, më shumë prioritet se sa ju ndaj Musas Alejhis-selam dhe Pejgamberi Alejhis-selam e agjëroi këtë ditë, dhe i urdhëroi shokët e tij ta agjërojnë”
Nga ky hadith i pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nënkuptojmë se, agjërimi i ditës së ashures, ishte detyrim për besimtarët Islam, ngase agjërimi i muajit të Ramazanit si adhurim për besimtarët Islam akoma nuk ishte bërë farz dhe nuk ishte sistemuar. Nëse marrim parasysh aspektin kohor, me lehtësi konstatojmë se kjo ngjarje ka ndodhur në vitin e parë të hixhretit, sepse agjërimi i muajit të Ramazanit ishte bërë obligim vitin e dytë. Aisheja r.a. tregon duke thënë: kur Pejgamberi Alejhis-selam imigroi prej Mekës në Medinë, ai agjëroi ashuren (ditën e dhjetë të muajit Muharrem) dhe gjithashtu kishte urdhëruar edhe shokët e tij të agjërojnë këtë ditë. Kur Allahu xh.sh. na obligoi me agjërimin e muajit të Ramazanit (vitin e dytë hixhrij) ai e la agjërimin e ashures të lirë. Pra, kush dëshiron e agjëron, e kush dëshiron nuk e agjëron” Buhariu.
Në bazë të kësaj që kuptojmë nga hadithi i lartpërmendur se pejgamberi alejhis-selam pas kësaj bisede me çifutët, për arsyen e agjërimit të kësaj dite, kishte filluar të agjërojë dhe njëkohësisht kishte urdhëruar edhe shokët e tij të agjërojnë. Agjërimi i pejgamberit Alejhis-selam dhe shokëve të tij ishte në shenjë falënderimi ndaj Krijuesit absolut, për arsye se këtë ditë kishte ngadhënjyer Musa Alejhis-selam dhe besimtarët e tij nga tiran zullumqart që quhej Faraoni. Kjo ngjarje kishte ndodhur në bregun e detit të Kuq, kur Musa alejhis-selam dhe besimtarët e tij para vete kishin detin, kurse pas vete ushtrinë e tmerrshme të Faraonit në krye me të. Kjo ngjarje ndodhi pasi Faraoni kishte humbur betejën e argumentit për bindur Musan Alejhis-selam se ky ishte zot, dhe ky meriton të adhurohet!. Për këtë arsye Faraoni kishte vendosur t’i eliminojë kundërshtarët e tij, andaj i ndjekte nga pas për ti vrarë, e kjo është edhe cilësia dalluese e udhëheqësve tiranë e zullumqar. Ndoshta në momentin kur Faraoni pa Musanë a.s. dhe besimtarët e tij se tani më nuk kanë rrugëdalje, sepse para vetit kanë detin e pas shpine Faraonin, ishte tepër i gëzuar, sepse sipas llogarisë së tij, po i jepet mundësia që tani të tregojë forcën e pushtetit të tij. Kjo ishte dëshira e tij, por duhet të ndodhë vetëm ajo që e dëshiron Allahu fuqiplotë, jo ajo që dëshiron Faraoni!
Musa Alejhis-selam ishte i bindur në këtë parim, sepse ai pasi që kishte marrë të gjitha masat preventive për ti shpëtuar Faraonit, dhe tani intervenimi i Allahut Xhel-le Xhelaluhu do të jetë i drejtpërdrejte duke ia hapur rrugët Musasë alejhis-selam dhe muslimanëve që të dalin në anën tjetër të detit. Përderisa me hyrjen e Faraonit në det, do të mbyllen rrugën dhe ai bashkë me ushtarët e tij do të ngulfatet në valët e detit. Kur’ani fisnik e përshkruan shumë qartë këtë ngjarje, dhe kjo ishte dita e shpëtimit të Musasë Alejhis-selam dhe besimtarëve të tij nga Faraoni. Pas përfundimit të këtij intervenimi të drejtpërdrejte, që ishte mrekulli, Musa Alejhis-selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. këtë ditë shpëtimi e manifestoi me agjërim, pra me ibadet.
Këtë ditë të ashures, që ishte dita e dhjetë e muajit Muharrem në shenjë falënderimi ndaj Allahut Xhel-le Xhelaluhu për shpëtimin e Musas alejhis-selam dhe besimtarëve të tij, e agjëroi edhe Muhammedi alejhis-selam bashkë me shokët e tij. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti se, Pejgamberi Alejhis-selam çifutëve u tha: se ne muslimanët kemi më shumë prioritet ndaj Musasë Alejhis-selam se ju, sepse vërtetë ne jemi pasues të besimit të vërtetë të Musas Alejhis-selam, kurse ju jeni ata që e keni devijuar pastërtinë e besimit të tij
Fare mirë dihet se muslimanët në përgjithësi, por shokët e pejgamberit Alejhis-selam kishin shumë kujdes ndaj praktikimit të normave Islame në ruajtjen e pastërtisë së tyre, jo vetëm të aspektit thelbësor, por edhe në aspektit formal. Ata nuk kundërshtuan urdhrin e pejgamberit Alejhis-selam, por menjëherë e zbatuan, edhe pse në brendinë e tyre mbanin një element shqetësues. Për këtë vendosën ti drejtohen edukatorit të njerëzisë që me shumë komoditet lehtësonte zemrat dhe brengat e muslimanëve. Iu drejtuan pejgamberit Alejhis-selam duke i thënë: O i dërguari i Allahut, këtë ditë të ashuras që po e agjërojmë, këtë ditë e kanë madhëruar çifutët dhe të krishterët, ndoshta mos po u përngjasim atyre?!. Atëherë pejgamberi Alejhis-selam shqetësimin e tyre e kuptoi me shumë elegancë dhe të njëjtin e arsyetoi, duke u thënë: “vitin e ardhshëm kësaj dite do t’ia bashkëngjisim edhe ditën e nëntë të muajit Muharrem”, që të mos i përngjasim çifutëve në adhurime.
Për vlerën e agjërimit të ashuras më së miri e përshkruajnë hadithet e pejgamberit alejhis-selam. Në mesin e tyre edhe hadithi i regjistruar te imam Muslimi në përmbledhjen e tij me transmetim nga Katadete, se Pejgamberi Alejhis-selam kur është pyetur për vlerën e agjërimit të ditës së ashuras, ka thënë: “Agjërimi i Ashuras i mbulon mëkatet e vitit të kaluar”.Ibn Abasi r.a. transmeton se ka thënë: nuk e kam parë pejgamberin Alejhis-selam që është përkujdesur për agjërimin e ndonjë dite sa është përkujdesur për agjërimin e ashuras. Kurse imam Termidhiu regjistron hadithin poashtu me transmetim nga ibn Abasi ku thotë: “Asnjë ditë nuk është më meritore për agjërim më shumë se dita e Ramazanit dhe dita e ashuras”. Kurse në një transmetim tjetër nga ebu Hurejreja r.a. thuhet se pejgamberi Alejhis-selam ka thënë: „Agjërimi më i vlefshëm pas agjërimit të muajit të Ramazanit, është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem (Ashura)“.
Shokët e pejgamberit alejhis-selam kishin gjithnjë kujdes të veçantë në agjërimin e kësaj dite. Ata jo vetëm që agjëronin vetë, por edhe të vegjlit e tyre, pra fëmijët i nxitnin në agjërimin e kësaj dite. Tregon Rebia vajza e Muavidhit e cila ka thënë: këtë ditë, pra ditën e ashuras, pejgamberi alejhis-selam në çdo mëngjes dërgonte nga një njeri në periferi tek ensarët dhe u thoshte: kush është zgjuar duke ngrënë, le ta agjërojë pjesën tjetër të ditës së tij, e kush është gdhirë agjërueshëm, le të vazhdojë agjërimin deri në mbrëmje. Andaj ne agjëronim dhe i nxitnim edhe të vegjlit tanë që të agjërojnë këtë ditë!
Duke u bazuar në argumentet që i theksuam dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur, juristët Islam kanë sjellë vendimin që dispozita e agjërimit të ditëve të ashuras është sunnet. Është sunnet të agjërohet dita e nëntë, dhjetë dhe e njëmbëdhjetë e muajit Muharrem. Andaj disa nga dijetarët Islam kanë thënë se agjërimi i kësaj dite ndahet në tre kategori:
kategoria e parë është agjërimi i tri ditëve, (ditës së nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë) e muajit Muharrem, kategoria e dytë është agjërimi i ditës së nëntë dhe dhjetë të muajit Muharrem,
dhe kategoria e tretë është agjërimi i ditës së dhjetë të muajit Muharrem.